THELLOHET MANIPULIM ZGJEDHOR / Policia e Kosovës shoqëron dhjetëra komisionerë për falsifikim

Thellohet situata e manipulimit të votave në Kosovë, pasi dhjetëra komisionerë janë ndaluar dhe shoqëruar nga policia  lidhur me rezultatin zgjedhor të 28 dhjetorit. Policia dhe Prokuroria paralajmërojnë hetime të zgjeruara për këtë ngjarje

Thellohet situata e manipulimit të votave pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Pas shoqërimeve të mbi 100 komisionereve  javën e kaluar në Prizëren, policia e kosoves në komunën e Malishevës ka shoqëruar dhjetëra komisionerë zgjedhorë për shkak të dyshimeve për ndërhyrje në procesin e numërimit të votave dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore.

Sipas burimeve zyrtare, rreth 50 persona janë marrë në pyetje, ndërsa 18 komisionerë janë ndaluar për 48 orë.

Marrja në pyetje është zhvilluar në stacionin policor në Gjakovë, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe manipulim të vullnetit të qytetarëve.

Hetimet po zhvillohen nga njësitë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, e cila e ka cilësuar këtë rast si një nga hetimet më serioze për manipulim zgjedhor në vitet e fundit.

Aksioni në Malishevë vjen vetëm disa ditë pas arrestimit të 109 komisionerëve në Prizren, ku 23 prej tyre janë dërguar në paraburgim për dyshime të ngjashme. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë edhe në komuna të tjera.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka konfirmuar se procesi i rinumërimit të votave po vazhdon, me mbi 80 për qind të vendvotimeve tashmë të rinumëruara.

Qytetarët kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për të gjithë ata që kanë cenuar votën e lirë dhe procesin demokratik.