Ryshfet dhe keqpërdorim i detyrës, arrestohen tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës, reagon Rama: Askush mbi ligjin!
Tre zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë arrestuar gjatë një aksioni më 27 janar, nën dyshimet për veprat penale të “keqpërdorimit të detyrës zyrtare” dhe “marrjes së ryshfetit”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë tha se aksioni u krye me masa të veçanta hetimore dhe një nga zyrtarët u zu në flagrancë duke marrë ryshfet.
“Gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, janë shoqëruar tre persona, ndër të cilët zyrtari i komunës, A.G., është arrestuar në flagrancë për veprën penale ‘narrje e ryshfetit’ sipas nenit 421 të Kodit Penal, me qëllim qe të ndihmojë të dëmtuarin të realizojë një pagesë për punët të cilat i kishte kryer sipas kontratës me komunën”, u tha në njoftimin e Prokurorisë, institucion që inkurajoi qytetarët që të raportojnë për rastet e korrupsionit.
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se komuna do të ofrojë bashkëpunim me organet përgjegjëse për këtë rast.
“Në këtë frymë, kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës”, shkroi Rama në Facebook.
Sipas ligjeve në fuqi, për marrje të ryshfetit, një zyrtar mund të dënohet me gjobë, por edhe me burgim deri në 15 vjet, varësisht nga vlera materiale që rezulton nga kjo vepër penale.
Ndërkaq, për keqpërdorim të detyrës zyrtare po ashtu parashihen dënime të ndryshme, që arrijnë deri në 10 vjet burgim, varësisht nga vlera e përftimit apo dëmit të shkaktuar nga kjo vepër penale.
REAGON RAMA
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas arrestimit të tre zyrtarëve të komunës.
Ai ka thënë se komuna do të ofrojë “bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente”.
Tutje, ka theksuar se mbetën të hapur për çdo proces verifikimi dhe veprimi procedural, për çka ka shtuar se “Askush mbi ligjin!”.
“Kryeqyteti riafirmon përkushtimin ndaj sundimit të ligjit dhe funksionimit të pavarur të institucioneve të drejtësisë të Republikës së Kosovës. Në lidhje me arrestimin e zyrtarëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti do të ofrojë bashkëpunim të plotë me të gjitha organet kompetente, në përputhje me detyrimet ligjore dhe standardet e një shteti demokratik. Në këtë frymë, Kryeqyteti Prishtina mbetet i hapur për çdo proces verifikimi dhe veprim procedural, në frymë bashkëpunimi dhe me respekt të plotë për organet e drejtësisë të Republikës së Kosovës. Askush mbi ligjin!”, ka shkruar Rama.

