Shpërthimi i fabrikës së biskotave në Greqi që la 5 viktima, vijojnë hetimet teksa punonjësit dëshmojnë se...

Hetimet për shpërthimin tragjik në fabrikën e Violandës në Trikala vazhdojnë. Ngjarja ka marrë jetën e pesë punëtoreve.

Hetimet e para tregojnë se shpërthimi ndodhi në zonën e furrave, pas një rrjedhjeje gazi. Edhe një ditë pas incidentit, fabrika ende nxjerr tym. Autoritetet po shqyrtojnë studimet e sigurisë nga zjarri, të dorëzuara më parë nga një inxhinier i autorizuar.

Që nga mesdita e së martës, është nisur marrja e dëshmive në Shërbimin Zjarrfikës. Dëshminë e ka dhënë tashmë përgjegjësi i sigurisë së fabrikës, ndërsa nuk janë marrë ende të gjitha deklaratat nga shtatë punonjësit që i mbijetuan zjarrit.

Do të merren dëshmi edhe nga 18 punonjës të tjerë që ishin në turn, por nuk kishin shkuar në punë për festat e Vitit të Ri. Dëshmi do të japë edhe pronari i fabrikës.

Pas mbylljes së dosjes së hetimit, ajo do t’i dorëzohet prokurorit kompetent. Në hetime përfshihen raporti i Drejtorisë së Hetimit të Aksidenteve nga Zjarri, raporti i Inspektoratit të Punës, i Shërbimit Zjarrfikës dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Janë parashikuar edhe ekzaminimet histologjike.

Deri në mbrëmje pritet të dërgohet mostra nga trupi i gruas së pestë, ndërsa katër viktimat e tjera janë tashmë në procesin e identifikimit.