HARTË QË T’I REZISTOJË KOHËS! Nga përmbytjet tek integrimi, Demo: Granti, për bashkitë më të mira

Ministri Ervin Demo deklaroi se Reforma Territoriale duhet të jetë gjithëpërfshiresë e bazuar në të dhëna konkrete në mënyrë që harta e re e ndarjes së vendit ti rezistojë kohës. Në një konferencë, ai analizoi gjendjen e bashkive në rrugën e integrimit dhe përballjen me sfidat e ofrimit të shërbimeve

Qëndrimi politik i Partisë Socialiste se nuk do të presin Partinë Demokratike për kryerjen e Reformës Territoriale dhe asaj zgjedhore, u zbut këtë të mërkurë nga ministri për Pushtetin vendor Ervin Demo.

Ndonëse theksoi se reformat kanë një afat për tu realizuar, kërkoi gjithëpërfshirje  që t’i rezistojë kohës.

Nuk munguan paralajmërimet.

Krahas kësaj sfide politike, integrimi vetëm sa i shton ato për bashkitë, të cilat ende janë larg përmbushjeve të kritereve europiane.

E për këtë ka disa plane për t’u ardhur në ndihmë në këtë drejtim.

Por mbështetja shtesë varet edhe nga performanca e secilës bashki.

Teksa Paketa e Maleve është një nga nismat më kryesore të qeverisë për të thithur investime, ministri zbuloi bashkitë që kanë përcaktuar zonat prioritare dhe që kanë një interes të shtuar.

Një përgjigje pati ndaj akuzave për diskriminim të bashkive të djathta.

Ministri theksoi se synohet që bashkia të kalojë në një tjetër nivel, si bashki sipërmarrëse, që do të garantojë më shumë të ardhura për vetë ato, por edhe të menaxhojnë më mirë asetet e shumëta që kanë në dispozicion, duke bërë hapa drejt përmbushjes së kritereve për integrim në BE

Demo: Proces gjithëpëfshirës dhe transparent për reformën territoriale

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo në konferencën e sotme për shtyp u ndal tek reforma territoriale duke theksuar se ky proces duhet të jetë gjithëpëfshirës dhe transparent.

“Reforma territoriale është një instrument jashtëzakonisht i rëndësishëm për të garantuar që bashkitë që në nisje të kenë mundësitë, asetet, kapacitetet e duhura dhe mbi të gjitha potencialin e mundshëm nga pikëpamja e rritjes ekonomike, që ti përballojnë të gjitha këto sfida”, theksoi Demo.

Ministri Demo u shpreh se “reformë territoriale e kemi në komisionin parlamentar, ku të gjitha partitë janë të përfshira në atë komision. Kuptohet që procesi, i cili do të fillojë për pak ditë duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, jo vetëm bashkitë, por e gjithë shoqëria në tërësi duhet të jetë e përfshirë”.

Nuk duhet të perceptojmë, vijoi Demo, se ky është një proces që do të ndryshojë kufijtë e bashkive, kjo do të ishte një qasje e gabuar nga të gjitha aktorët që merren me këtë sfidë që kemi përpara.

“Reforma territoriale duhet të bazohet në të dhënat, në eksperiencën që ne tashmë kemi çfarë ka ndodhur gjatë 10 viteve të fundit në territor. Reforma e fundit ka marrë jetë në 2015, jemi fiks pothuajse 10 vjet. Cilat kanë qenë sfidat që bashkitë janë ballafaquar, e cila prej tyre është ballafaquar me sukses nga ana e bashkive, cilat janë funksionet që bashkitë nuk kanë arritur dot t’i ofrojnë në territor për shkak se kanë pasur mungesë kapacitetesh, qoftë edhe financiare apo problematika të tjera”, nënvizoi Demo.

Demo e vuri theksin edhe tek rëndësia që ka kjo reformë jo thjesht nga pikëpamja politike, por për mënyrën së si do të menaxhohet territori për të pasur shërbime më të mira.

“Reforma territoriale është një hap shumë i rëndësishëm një sfidë jo e vogël, por një mundësi e jashtëzakonshme që nëse e përsërisim duhet që të mos durojë 10 vjet, por të zgjasë edhe më shumë. Ne kemi bërë një kapërcim shumë të madh në 2014 nga një numër shumë i lartë kaluam në 61 bashki. Shqipëria në 20 vitet e fundit ka ndryshme qoftë edhe demografike”, tha Demo.

I pyetur nëse ka ndërmend ndonjë numër për bashkitë, Demo tha se duhet të jetë një vlerësim i kujdesshëm.

“Studime ka pafund dhe shumë prej tyre janë publike sepse janë bërë falë asistencës së donatorëve ndër vite, studime për trendet demografike. Besoj që komisioni i posaçëm tashmë do të fillojë procesin. Patjetër që do të ketë një dokument të parë që do të jetë për diskutim publik. Nuk do të flas në fillim dhe besoj ky do të jetë procesi, për numrin e bashkive, por për konceptin. Si e duam një bashki? Si mund të ketë sukses? Cilat janë sfidat? Ne si ministri, do të mbështesim komisionin me informacion, publikun, bashkitë për këtë reformë”, tha Demo.

Demo u shpreh se “kemi marrëdhënie të shëndetshme me aktorët që kanë qenë partnerë të jashtëzakonshëm dhe kanë një databazë njohurish. Duam t’i kemi të përfshirë dhe roli i ministrisë është që ta akomodojë. Aleanca nuk është thjesht për reformë, por duhet të kuptojmë që sfida është që reforma të marrë jetë. Aleanca duhet të jetë sa më e gjerë dhe publiku i përfshirë”.

Demo: Përgatitje bashkive për sfidat e negociatave me BE-në

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo tha sot se procesi i integrimit sjell shumë sfida edhe për bashkitë.

Në një konferencë për shtyp lidhur me politikat konkrete, investimet strategjike dhe nismat ligjore, nga Paketa e Maleve dhe Granti i Performancës te digjitalizimi për bashki më transparente dhe më pranë qytetarëve, Demo u ndal tek procesi i negociatave dhe sfidat që paraqet për njësitë e pushtetit vendor.

“Agjenda ambicioze që ne kemi që deri në 2027 do të përmbyllim kapitujt në vetvete do të sjellë një dallgë të madhe rregullative, e cila duhet përkthyer në standarde të reja në nivel vendor dhe patjetër me përgjegjësi të reja”, u shpreh Demo.

Ministri Demo vuri në dukje se “qeveria qendrore është këtu për të mbështetur bashkitë aty ku duhet edhe me financat, të cilat janë të domosdoshme për të arritur këto standarde”.

Por, vijoi Demo, Akademia e Pushtetit Lokal dhe nisma të tjera janë pararojë një përgatitje që ne po bëjmë që kur kjo dallgë të vijë bashkitë të jenë gati që të ballafaqohen me këto sfida dhe patjetër të arrijnë që të përthithin jo thjesht përgjegjësitë, por të jenë gati nesër që të jenë konkurruese sa i përket financimit që do të vijë momentin që ne jemi pjesë e BE-së.

Demo u shpreh se “kemi nxjerrë mësime të qarta nga të gjitha vendet që kanë aderuar në BE në vitet e para qartazi është konstatuar një mungesë kapaciteti sidomos në nivel vendor të përthithjes së fondeve që vijnë nga mbështetja financuar nga fondet e kohezionit që është kapitulli 22 nga BE”.

Kjo, vijoi Demo, përgjithësisht ka të bëjë me parapërgatitjen që këto institucione duhet të kenë.

“Duket sikur ka shumë kohë përpara, por më besoni procesi është shumë kompleks, vetvetiu bashkitë kanë karakteristikat e tyre, të cilat e bëjnë ndonjëherë procesin edhe më kompleks. Sfidat e burimeve njerëzore janë aty, ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm ndaj mundohemi që me instrumentet e rinj që kemi duke garantuar nëpërmjet Akademisë së Pushtetit Lokal, fuqizimin e burimeve njerëzore dhe përgatitjet e tyre më të mira për sfidat siç mund të jetë procesi i integrimit dhe jo vetëm, por patjetër granti i performancës do të bëjë të mundur transformmin institucional që bashkitë të jenë gati për atë çfarë ne presim”, tha Demo.

69 zona prioritare në 13 bashki, 100 aplikime për investime në Paketën e Maleve

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi sot në një konferencë për mediet se “Paketa e Maleve” përbën një instrument të rëndësishëm që synon nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të territorit, veçanërisht në zonat me potencial të pashfrytëzuar.

I pyetur nga ATSH mbi ecurinë e aplikimeve për investime të reja në kuadër të kësaj nisme, si dhe mbi shifrat konkrete, Demo bëri të ditur se janë miratuar tashmë 69 zona prioritare për zhvillim, me vendim të Këshillit të Ministrave, të shpërndara në 13 bashki.

Sipas tij, këto bashki janë Vau i Dejës, Klos, Mat, Shkodër, Shijak, Kukës, Skrapar, Elbasan, Përmet, Belsh, Memaliaj, Tepelenë dhe Dibër, të cilat kanë përfituar miratimin e zonave prioritare për zhvillim në kuadër të paketës.

Ministri theksoi se deri më tani janë evidentuar rreth 100 raste aplikimesh për investime të reja, të cilat ndodhen në faza të ndryshme të procesit të shqyrtimit, duke nënvizuar se ky proces është dinamik dhe ndryshon nga dita në ditë, për shkak të interesit në rritje.

“Fluksi më i lartë i aplikimeve lidhet me bashkitë që kanë territore më të mëdha. Bashkia Shkodër ka shfaqur interes shumë të lartë, po ashtu edhe Kukësi, por edhe bashkitë e tjera po ndjekin procesin me vëmendje” u shpreh Demo.

Ai shtoi se brenda dy muajve në vijim pritet të ketë një tablo më të qartë të aplikimeve, ndërsa qytetarët dhe sipërmarrësit do të ndërgjegjësohen gjithnjë e më shumë për përfitimet që ofron kjo nismë.

Demo bëri të ditur gjithashtu se numri i bashkive të përfshira në procesin e plotësimit të aplikimeve do të vijojë të rritet duke u shtrirë në 61, çka sipas tij tregon rritje të angazhimit në nivel vendor.

“Jam i bindur se bashkitë e kanë kuptuar rëndësinë e kësaj nisme, e cila është në interes të zhvillimit të territorit dhe të vetë bashkive, për të ndërtuar zona që ose nuk kanë pasur mundësi zhvillimi për shkak të problematikave të ndryshme, ose mund të shërbejnë si incentiva për të motivuar sipërmarrje të caktuara që të investojnë në këto zona”, tha ai.

Ministri nënvizoi se një investim i qëndrueshëm në agroturizëm ka efekt transformues jo vetëm për një fshat të vetëm, por për grupe fshatrash, duke ndikuar pozitivisht në prodhimin bujqësor, krijimin e tregjeve dhe veçanërisht në zhvillimin turistik të zonës.

Në përfundim, Demo shprehu bindjen se Paketa e Maleve është një element shtytës për zhvillimin e qëndrueshëm, duke siguruar se qeveria qendrore mbetet e gatshme të mbështesë bashkitë me informacion dhe asistencë teknike për zbatimin e plotë të kësaj nisme.

“Paketa e Maleve” është një nismë e qeverisë shqiptare e prezantuar në fillim të vitit 2025, që synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe social në zonat malore dhe rurale me potencial zhvillimi, përmes lehtësimit të procedurave dhe krijimit të incentivave për investime private.

Paketa fokusohet kryesisht në sektorë si agroturizmi, bujqësia, blegtoria, përpunimi i produkteve lokale dhe turizmi natyror, duke synuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe frenimin e emigrimit nga zonat e thella. Në kuadër të kësaj nisme, bashkitë propozojnë zona prioritare për zhvillim, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe përfitojnë mbështetje institucionale për realizimin e projekteve.

Demo: Brenda shkurtit nisin trajnimet në Akademinë e Pushtetit Vendor

Akademia e Pushtetit Vendor është instrument që do të vihet në dispozicion të bashkive për të siguruar shërbime më të mira në territor.

Gjatë një konference për shtyp, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo u ndal te sfidat që dalin para pushtetit vendor gjatë vitit 2026, ndërsa sqaroi edhe funksionet e Akademisë.

Sipas tij, gjatë vitit 2026 priten shumë nisma transformuese për sa i përket të ardhmes së së bashkive. “Ky është një vit ku procesi i reformës territoriale ka filluar dhe është kapaku që do të përfshijë të gjitha ato nisma për të garantuar një shtrat të shëndetshëm të zhvillimit të bashkive në dekadat që do të kemi përpara”, tha Demo.

Fuqizimi i bashkive, sipas tij, mbetet fjala kyçe që në vetvete përfshin si rritjen e kapaciteteve edhe fuqizimin institucional të bashkive me nisma konkrete si Akademia e Pushtetit Vendor.

“Ky është një moment historik për bashkitë në vend pasi është hera e parë që bashkitë do të kenë një strukturë të fokusuar në nevojat specifike të tyre. Bashkitë do të financojnë 50% të kostove të Akademisë dhe 50% financohen nga qeveria qendrore”, tha Demo.

Sipas tij, Akademia do të jetë një platformë ku bashkitë ndajnë me njëra-tjetrën praktikat më të mira që ato kanë konsoliduar në territor.

“Ndarja e eksperiencës dhe krijimi i një platforme të qëndrueshme për sa i përket modeleve më të mira që bashkitë mund të ndajnë me njëra- tjetrën e bëjnë Akademinë një instrument shumë të fuqishëm për pushtetin vendor”, tha Demo.

Akademia, sipas tij, “do të kthehet në një hallkë ku të gjithë partnerët dhe donatorët do të mbështesin pushtetin vendor”. “Brenda dhjetëditëshit të parë të muajit shkurt fillojnë trajnimet e para përmes Akademisë. Struktura është duke u ngritur. Jam i bindur se do të jetë instrument që bashkitë do ta kenë në krahë që të kemi shërbime më të mira në territor”, tha Demo.