Gjokutaj: Largimi i trurit po e bën ekonominë shqiptare më të vogël, më të shtrenjtë dhe më pak konkurruese
Raporti i fundit i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka lëshuar një alarm të fortë për Shqipërinë, duke e cilësuar emigracionin jo më si një çështje thjesht sociale apo demografike, por si një problem thelbësor që po kërcënon vetë modelin ekonomik të vendit.
Sipas analizës së ekspertit të ekonomisë, Eduard Gjokutaj, i cili ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", Shqipëria po përballet me humbjen e vazhdueshme të kapitalit më të çmuar: atij njerëzor.
Largimi masiv i popullsisë, veçanërisht i të rinjve dhe profesionistëve të kualifikuar, po krijon një boshllëk të thellë në tregun e punës, i cili nuk po arrin të zëvendësohet. Vendi renditet ndër shtetet me nivelin më të lartë të emigracionit neto, që do të thotë se numri i atyre që largohen e tejkalon ndjeshëm atë të të ardhurve.
"Raporti i tranzicionit që ka nxjerrë BERZH, i cili në vetvete nuk trajton thjesht emigracionin si një problem social apo demografik, por si një problem tashmë thelbësor të modelit ekonomik, qoftë të Shqipërisë, Kosovës apo vendeve të tjera.
Pra, tashmë nuk flitet më thjesht për njerëz që largohen, por për kapital njerëzor që po humbet përgjithmonë nga ekonomia vendase dhe po krijon një boshllëk i cili nuk po zëvendësohet dot me format e tjera të prurjes së punonjësve apo forma të organizimit të bizneseve.
Pra, ajo çfarë është shqetësuese në këtë raport, të cilin na e vënë në dukje, por jo se ne nuk e kemi theksuar apo nuk e dimë, është rasti që Shqipëria ka një renditje në vendet që kanë nivelin më të lartë të emigrimit, apo shumë të lartë të emigrimit neto. Pra, dalin më shumë njerëz sesa hyjnë të tjerë si emigrantë.
Por, problemi më shqetësues pastaj lidhet me atë çfarë ka brendia e këtij emigrimi, që ka një largim të fortë të të rinjve dhe sidomos një ikje disproporcionale të profesionistëve dhe punonjësve të kualifikuar. Pra, lë një boshllëk që ka lidhje me pjesën që ekonomia humbet atë që quhet segmenti më produktiv i shoqërisë.
Pra, humbet investimi që është bërë për ta në arsim, në formim dhe nëpërmjet emigrimit të tyre të lirë, pra lëvizjes së lirë të njerëzve, natyrisht kjo i bie që të investosh për të subvencionuar ekonomi të tjera. Dhe nga ana tjetër, tregu i punës i cili krijon këtë boshllëk arrin në atë nivel që tashmë të na mungojnë jo vetëm profesionistët, por të fillojnë të mungojnë dhe ata çfarë kanë të bëjnë me punë bazike, ato punët e përditshme.
Por efekti tjetër është presioni i drejtpërdrejtë mbi biznesin shqiptar, i cili ngaqë nuk gjen staf, edhe nuk mund të zgjerohet dhe nuk mbaron vetëm këtu.
Kemi një rritje të kostos së tyre, për arsye se kemi rritje të pagave. Por kjo rritje pagash nuk vjen për shkak se biznesi është bërë më teknologjik, më efikas, por apo është riorganizuar, por thjesht vjen se ka nevojë të plotësojë ato lloj mungesash. Pra, efikasiteti i cili do të orientonte në këtë rast biznesin, mungon. Dhe në këtë rast i gjithë ky proces i emigrimit, i thënë nga BERZH-i por thënë në kontekstin shqiptar, e bën e bën ekonominë më pak moderne, apo më pak të qëndrueshme, e bën më të vogël, më të shtrenjtë dhe më pak konkurruese, të cilat ndoshta do t'i shëllojmë vijim.
Po patjetër që ky është një nga efektet pasojë për shkak të emigrimit, pasi siç thamë largohen të rinjtë apo prishet ajo çfarë themi balanca sociale midis brezave, midis shtresave.
Natyrisht që kjo krijon një problem në formimin e familjeve të reja, në krijimin e mundësive për të qenë një jetesë e cila të prodhojë edhe një lindshmëri më të lartë dhe nga ana tjetër kjo të krijojë edhe një, të themi, një bazë më të gjerë konsumi dhe një element shtesë në aspektin e fuqizimit të fuqisë punëtore në të ardhmen.
Të gjitha këto me largimin e të rinjve dhe sidomos të atyre që konsiderohen si shtresa që nuk është tashmë e varfër, po ka një mundësi jetese këtu, por kërkojnë paga më të larta apo një mjedis më të mirë për fëmijët e tyre dhe për veten, natyrisht e gjitha kjo ndikon te fertiliteti, i cili trajtohet dhe në raportin e BERZH-it si një nga problemet që në Ballkan, por sidomos në Shqipëri e ka prekur, pasi ne kemi një ndër normat më të ulëta të lindshmërisë dhe natyrisht rritja natyrore e popullsisë është efekt që ndikon direkt si në aspektin social, pra në prishjen e barazisë sociale apo edhe të asaj gjinore, por nga ana tjetër edhe në rrudhjen e bazës së konsumit të ekonomisë, për aspektin si familjar, por dhe në aspektin e kontributit të buxhetin e shtetit të cilit këto të ardhura që i mungojnë nga largimi apo nga mungesa e këtyre familjeve, natyrisht që nuk rekuperohen dot me masa të tjera pasi kërkojnë fuqi shtesë punëtore e cila nuk vjen sipas dëshirës, por kërkon edhe ajo një sërë kushtesh", u shpreh Gjokutaj.

