Aeroporti i Vlorës në vonesë, vetëm 40% e investimit të premtuar të realizuar deri në fund të 2024

Më 20 prill 2021, kryeministri Edi Rama hoqi maskën e pandemisë dhe u ngjit në podium për të përshëndetur nënshkrimin e kontratës koncesionare për ndërtimin e aeroportit të Vlorës – një bast elektoral i hershëm i tij, që po merrte jetë në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Rama nuk e fshehu triumfin, ndërsa deklaroi se kishte menduar më parë se projektin e përndiqte një mallkim.

“…Belinda e di shumë mirë, në një moment të caktuar unë fillova t’i them ‘nuk ka mundësi, ka një mallkim’. Dikush e ka mallkuar këtë projekt, sepse sapo zgjidhnim një problem, lindte një tjetër,” tha ai në ceremoni.

Pas një kalvari të gjatë premtimesh dhe vonesash, kontrata koncesionare u firmos nga ministrja

Tre ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, kryeministri Edi Rama dhe ministrja Balluku u rikthyen në Vlorë për të inauguruar pistën e aeroportit. Përkrah dy aksionerëve Pacolli dhe Ademi, ata deklaruan se punimet ishin drejt fundit dhe premtuan vënien në punë të aeroportit brenda vitit.

Sipas studimit të fizibilitetit, kompania koncesionare ka marrë përsipër detyrimin që të investojë 104 milionë euro, nga 86.6 milionë euro që llogaritej kostoja e punimeve në Studimin e Fizibilitetit.

Por tabelat financiare të dorëzuara nga VIA në Qendrën Kombëtare të Biznesit, të analizuara nga BIRN, tregojnë se vlera e punimeve nuk shkon më shumë se 40% e vlerës së premtuar të investimit deri në fund të vitit 2024.

Sipas pasqyrave financiare të audituara për vitet 2021, 2022, 2023 dhe 2024, VIA deklaron punime në vlerën e 42.6 milionë eurove, nga të cilat investimi i kompanisë është 32.8 milionë euro dhe pjesa tjetër janë detyrime ndaj nënkontraktorëve.

Nga këto investime, ortaku “Mabco Contructions” ka investuar 10 milionë euro para të vetat, 22 milionë euro janë shpenzuar nga kredia bankare, ndërkohë që 9.7 milionë euro janë detyrime për palët që kanë kryer punimet dhe që nuk janë paguar ende deri në fund të vitit 2024.

Ortakët e kompanisë koncesionare VIA, Mabco Construction dhe 2A Group operojnë njëherazi edhe si nënkontraktorë të punimeve, ndërkohë që vlerën e investimit ia kanë dhënë si hua kompanisë koncesionare me “terma dhe kushte tregtare”.

Sipas Stringës, kjo u jap atyre mundësinë që të fitojnë dy herë nga koncesioni.

“Nëse sheh bilancet konstaton se punimet e kryera kanë faturuar dhe fitim ndaj firmës koncesionare dhe kapitali i investuar është hua e dhënë me interes. Kjo tregon se pronarët po tentojnë të fitojnë dy herë: edhe duke kryer punimet në aeroport dhe më pas duke operuar aeroportin,” theksoi Stringa.

Ortakët e kompanisë koncesionare, VIA, pretenduan për BIRN se investimet e tyre për ndërtimin e aeroportit e kishin tejkaluar vlerën e 104 milionë eurove, ndërsa theksuan se bilancet e dorëzuara në QKB ishin të papërditësuara.

Sipas Mabco Construction, bilancet e depozituara në QKB përmbajnë vetëm të dhënat e faturave të dorëzuara dhe të pranuara nga drejtuesi teknik, inxhinieri i pavarur dhe administratori i VIA për kohën kur është depozituar bilanci. Mabco Construction pretendoi se vetëm pagesat e kryera prej saj kapnin vlerën e 81 milionë eurove.

“Duhet theksuar se Mabco nuk e ka konsideruar veten vetëm si punëkryes për t’u paguar nga VIA, por ka investuar fondet e veta, të transferuara përmes bankave në mënyrë transparente. Të gjitha këto vlera punimesh dhe shpenzimesh janë të dokumentuara me kontrata, pagesa bankare, transporti, taksa doganore, TVSH dhe fatura të deklaruara pranë organeve tatimore,” tha Mabco Construction për BIRN.

Edhe Valon Ademi pretendoi për vlera të mëdha investimesh, që sipas tij do të reflektoheshin në bilancin e vitit 2025.

“Në vitin 2025 duhet të jenë investuar edhe 50 milionë euro,” tha Ademi, duke pretenduar se kishin ndërtuar një pistë ku “avionët bëjnë shoë dhe një terminal hangar”.

Pavarësisht pretendimeve për vlera të larta të investura, Mabco Construction nuk jep garanci se aeroporti do të jetë gati për operim sipas parashikimeve të kontratës në mars, ndërkohë që janë shtuar shqetësimet për cilësinë e punimeve pas përmbytjes së pistës nëntorin e vitit të kaluar.

“Në kushtet kur jemi efektivisht të përjashtuar nga informacioni dhe vendimarrja, por jo nga përgjegjësia, ne e kemi të pamundur të japim një informacion të të përgjithshëm për të gjithë projektin dhe probabilitetin e përfundimit të tij në kohë…,” përfundoi Mabco Construction./Reporter.al