Ibrahimaj: Traktati për pronësinë intelektuale nxit inovacionin dhe mbron produktet tradicionale shqiptare

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi sot në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e vendimit nr. 5/2024 të Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, për aspektet tregtare të të drejtave të pronësisë intelektuale”.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se traktati në të cilin Shqipëria synon të aderojë është një instrument me rëndësi të veçantë për mbrojtjen e pronësisë intelektuale, zhvillimin e inovacionit, kërkimin shkencor dhe kërkimin dhe zhvillimin (R&D). Traktati është miratuar në vitin 2024 nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale, pas një procesi negociues që ka zgjatur 20 vjet, dhe lidhet drejtpërdrejt me pronësinë intelektuale, burimet gjenetike dhe njohuritë tradicionale.

Sipas ministres Ibrahimaj, miratimi i këtij traktati plotëson kornizën e infrastrukturës së cilësisë në Republikën e Shqipërisë dhe ndikon drejtpërdrejt në nxitjen e inovacionit. Traktati adreson problematikën e regjistrimit të markave dhe patentave pa deklaruar origjinën e burimeve gjenetike apo të njohurive tradicionale, duke garantuar njohjen dhe mbrojtjen e tyre të drejtë.

Ministrja theksoi se Shqipëria, si një vend me biodiversitet të pasur dhe me trashëgimi të gjerë të njohurive tradicionale, veçanërisht në bujqësi, mjekësinë popullore dhe produktet tradicionale, ka një potencial real për të kthyer këto pasuri në burim zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, vetëm nëse ato mbrohen dhe administrohen në mënyrë të drejtë.

Në këtë kontekst, u theksua roli kyç i Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Intelektuale, si institucioni përgjegjës për regjistrimin e markave, patentave dhe treguesve gjeografikë, si dhe përfaqësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale.

Aktualisht, në Shqipëri janë të regjistruara 7528 patenta, nga të cilat 7455 janë patenta europiane, ndërsa vetëm një numër i vogël janë patenta shqiptare. Çdo vit regjistrohen rreth 10-12 aplikime për patenta. Në fushën e markave, janë aktive 63 456 marka dhe çdo vit regjistrohen rreth 4500-4600 aplikime të reja.

Ndërkohë, Shqipëria ka 29 tregues gjeografikë të regjistruar dhe dy të tjerë në proces regjistrimi: Vaji i ullirit i Valmit dhe Gështenja e Reçit.

Sipas ministres, njohja e produkteve autentike shqiptare si tregues gjeografikë rrit konkurrueshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare, duke garantuar siguri, cilësi dhe standardizim, si dhe duke përforcuar infrastrukturën e cilësisë.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se aderimi në këtë traktat është plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe me angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke përbërë një hap konkret drejt mbështetjes së zhvillimit të ekonomisë së dijes, të bazuar në potencialet që Shqipëria ofron.