FRONTI ANTI-EMIGRACION/ Braverman bashkohet me Farage, emigracioni në shënjestër
Politikat kundër emigrantëve po radikalizohen në Britani. Suella Braverman, ish-Sekretare e Brendshme dhe kritike e ashpër e emigrantëve shqiptarë, ka kaluar te partia Reform UK e Nigel Farage.
Emigracioni po kthehet në armën kryesore politike në Britani.
Një nga figurat më të ashpra kundër emigrantëve shqiptarë, Suella Braverman, ka braktisur Konservatorët dhe i është bashkuar partisë së Nigel Farage, politikanit që kërkon hapur dëbime masive.
Ish-Sekretarja britanike e Brendshme u shfaq në një tubim të Reform UK në Londër, ku deklaroi se Britania është “e shkatërruar” dhe se emigracioni është “jashtë kontrollit”.
Braverman tha se pas 30 vitesh ka hequr dorë nga Partia Konservatore dhe se ndihet sikur është “kthyer në shtëpi”.
Ajo bëhet deputetja e tretë konservatore në detyrë që kalon te Reform UK brenda pak ditësh, duke e çuar në tetë numrin e deputetëve të kësaj force politike. Partia e Nigel Farage është e njohur për retorikën e ashpër kundër emigrantëve dhe thirrjet për dëbime.
Kalimi i Braverman sinjalizon një radikalizim të mëtejshëm të diskursit politik në Britani, ku emigrantët po vendosen gjithnjë e më shumë në qendër të debatit dhe përplasjes politike.
Suella Braverman ka qenë një nga zërat më kritikë ndaj emigrantëve shqiptarë në Britani, duke i lidhur ata publikisht me kriminalitetin dhe abuzimin e sistemit të azilit.
Ajo ka deklaruar më herët se “shqiptarët përbëjnë një pjesë disproporcionale të emigracionit të paligjshëm”, deklaratë që ka shkaktuar reagime të forta nga Tirana zyrtare.
Edhe Nigel Farage ka përdorur vazhdimisht shqiptarët si shembull në fushatat e tij kundër emigracionit, duke kërkuar kthimin e menjëhershëm të tyre nga Britania.
Farage ka mbështetur publikisht marrëveshje dëbimi dhe politika zero-tolerancë për emigrantët shqiptarë.
Të dy politikanët e konsiderojnë emigracionin shqiptar si “problem sigurie”. Qëndrimet e tyre po nxisin debate dhe shqetësim mes komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar.
