AUSTRALIA NËN PUSHTETIN E FLAKËVE/ 6 zjarre aktive në shtetin e Viktorias, mijëra të evakuuar

Australia po përballet me një emergjencë të rëndë mjedisore, pasi gjashtë zjarre mbeten aktive në shtetin e Viktorias, të nxitura nga temperatura rekord deri në 48.9°C. Autoritetet paralajmërojnë për rrezik serioz për jetën dhe shëndetin.

Shteti i Viktorias në Australi po përballet me një emergjencë mjedisore si pasojë e të paktën 6 zjarreve aktive në vend.

Një valë e jashtëzakonshme të nxehti ka goditur juglindjen e vendit duke vështirësuar edhe më tej situatën.

Autoriteti i zjarrëfikësve paralajmëroi se situata po ndryshon shumë shpejt dhe u bëri thirrje banorëve të ndjekin vazhdimisht njoftimet më të fundit.

Dëmet ende nuk janë konfirmuar plotësisht, por zëvendësdrejtori i operacioneve të emergjencës, tha se ka dëshmi jozyrtare se dhjetëra shtëpi dhe mijëra hektarë tokë janë shkatërruar.

Byroja e Meteorologjisë njoftoi se disa zona të Viktorias kanë shënuar temperaturat më të larta ndonjëherë, deri në 48.9°C.

Autoritetet paralajmërojnë se vala e zgjatur e të nxehtit paraqet rreziqe serioze për shëndetin.

Më të rrezikuarit janë të moshuarit, fëmijët dhe personat me probleme shëndetësore.

Australia Jugore është vënë gjithashtu në alarm për rrezik të kategorisë 5 nga zjarret.