“PAJTIM” PAS KRIZËS SË DEPORTIMEVE/ Trump dhe Minesota sinjalizojnë ulje tensionesh pas vr*sjeve

Presidenti Donald Trump dhe guvernatori i Minesotës, Tim Walz, zhvilluan një bisedë telefonike pas vrasjes së dy qytetarëve amerikanë gjatë operacioneve federale të emigracionit në Mineapolis. Autoritetet sinjalizuan ulje tensionesh, përfshirë largimin e disa agjentëve federalë dhe ndryshime në drejtimin e operacionit.

Pas të shtënave vdekjeprurëse nga agjentët federalë, Presidenti amerikan Donald Trump dhe guvernatori i Minesotës kanë sinjalizuar një ule të tensioneve mes tyre.

Ata kanë pasur një bisedë telefonike pas krizës së shkaktuar nga operacionet e deportimit të urdhëruara nga Trump, të cilat kanë përfunduar me vrasjen e dy shtetasve amerikanë në Minneapolis.

Një tjetër shenjë e zbutjes së situatës ishte konfirmimi se Gregory Bovino, një zyrtar i lartë i Patrullës Kufitare të SHBA-së dhe figurë kyçe e operacionit, do të largohet nga Minesota. Ai do të zëvendësohet nga Tom Homan, i emëruar nga Trump si “car i kufirit”.

Zhvillimet vijnë pas vrasjes së Alex Pretti, një infermier 37-vjeçar, i cili u qëllua për vdekje nga agjentë federalë gjatë një përplasjeje me protestues kundër emigracionit.

Ngjarja shkaktoi reagime të forta publike, pasi pamjet video të shpërndara në internet duket se kundërshtojnë versionin zyrtar të administratës Trump, sipas të cilit Pretti paraqiste rrezik.

Një rast i ngjashëm ka ndodhur më herët me Renee Good, një aktiviste kundër ICE dhe nënë e tre fëmijëve, e cila u vra nga një agjent federal në automjetin e saj.

Deri tani, Departamenti i Drejtësisë nuk ka nisur hetime zyrtare ndaj oficerëve të përfshirë, ndërsa autoritetet e Minesotës akuzojnë qeverinë federale se po pengon hetimet shtetërore, çka ka çuar në një betejë ligjore.

Pas bisedës me Walz, Trump deklaroi gjithashtu se po shqyrtohej ulja e numrit të agjentëve federalë në shtet.