Qeveria ndryshon buxhetin/ Malaj: Ja kush përfiton miliona euro shtesë nga fondet e pashpenzuara

Gjatë diskutimit për Aktin Normativ, Ministri Malaj bëri një analizë të detajuar të situatës ekonomike dhe ndërhyrjeve buxhetore.

Ai nënvizoi se stabiliteti i financave publike ka lejuar ndërhyrje të kujdesshme për rishpërndarjen e rreth 30 miliardë lekëve kursime.

"I nderuar kryetar, të nderuar deputetë, të dashur qytetarë. Vimë sot përpara jush për diskutimin dhe miratimin e aktit normativ për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin e buxhetit të vitit 2025, të miratuar tashmë nga Këshilli i Ministrave dhe që u hartua si një domosdoshmëri për të reflektuar disa ndryshime në buxhetin e vitit 2025.

Ky akt plotëson të gjitha kriteret kryesore, siç është nevoja për të reflektuar përkohshmërinë e zbatimit të tij, respektimin e kufijve të fuqisë ligjore, si dhe domosdoshmërinë e miratimit nga ky kuvend.

Për këtë qëllim, akti normativ adresoi në mënyrë të menjëhershme nevojën e mbështetjes së shtresave më në nevojë, siç janë familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, apo personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre.

Si dhe paralelisht me këtë, kemi garantuar edhe fondet e nevojshme për skemën e pensioneve.

Qeveria Rama ka dëshmuar në mënyrë të vazhdueshme se mbrojtja sociale do të mbetet një nga prioritetet buxhetore. Përmes fondeve të dedikuara kemi synuar jo vetëm ruajtjen, por edhe rritjen graduale të mbështetjes sociale, duke ju përgjigjur nevojave reale të qytetarëve shqiptarë.

Për vitin 2025, mbështetja buxhetore për familjet që kanë përfituar ndihmë ekonomike, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, arriti në vlerën 25.6 miliardë lekë, apo 256 milionë euro, përfshirë këtu dhe fondin për bonusin e fundvitit.

Ndërsa për kategorinë e pensionistëve, që përfshin bonusin plus indeksimin, fondi buxhetor u llogarit në rreth 120 milionë euro.

Në një kuadër ekonomik që kërkon kujdes dhe balancë në vendimmarrje, ne kemi zgjedhur që të mbështesim ato shtresa të cilat kanë më shumë nevojë. Ndaj edhe nëpërmjet këtij akti normativ, ne synojmë transferimin e të gjitha fondeve të buxhetit 2025, të cilat nuk janë përdorur nga ministritë apo institucionet buxhetore, të transferohen në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë.

Këto fonde do të përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, nëpërmjet aktit normativ, ne synojmë mbështetjen e shtresave në nevojë, por nga ana tjetër edhe rialokimin e kursimeve të evidentuara gjatë periudhës janar-nëntor 2025, drejt programeve apo projekteve të cilat kanë pasur një ecuri më të mirë.

Paralelisht me këtë akt normativ, kemi bërë dhe një shpërndarje të brendshme të fondeve me efekt neutral në defiçitin buxhetor, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të zbatimit të projekteve.

Të nderuar deputetë, përpara se sa të vijoj me elementët kryesorë të këtij akti, më lejoni të bëj një paraqitje të treguesve kryesorë makroekonomikë dhe fiskalë për të kuptuar më qartë bazën nga e cila ne jemi nisur për të bërë ndryshimet e propozuara.

Prodhimi i brendshëm bruto në vitin 2024 u rrit me rreth 4%, ndërsa gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, rritja ishte 3.7%, duke u mbështetur kryesisht nga konsumi i brendshëm dhe nga investimet.

Ne parashikojmë që viti 2025 të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.9%. Sa i takon borxhit publik, sipas vlerësimeve paraprake që Ministria e Financave ka kryer, ai pritet të jetë nën masën 54% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të vitit 2025 dhe ky është niveli më i ulët i borxhit publik që kemi pasur që nga viti 2010.

Sa i takon të ardhurave nga tatimet dhe doganat, sipas të dhënave paraprake, për vitin 2025, ato u realizuan në vlerën 496 miliardë lekë, ose rreth 400 milionë euro më shumë se viti 2024, duke shënuar një rritje prej 9% dhe një realizim të planit vjetor në masën 99.3%.

Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore shëndetësore për vitin 2025 u realizuan në masën 172 miliardë lekë, me një rritje prej 16.7 miliardë lekësh apo 167 milionë euro më shumë sesa viti 2024, apo me një rritje prej 11%, si dhe një tejkalim të planit me rreth 711 milionë lekë.

Në total, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe kontributet, sipas të dhënave paraprake, u mblodhën në vlerën 668 miliardë lekë, me rreth 560 milionë euro më shumë të ardhura të arkëtuara krahasuar me vitin 2024 dhe me një realizim të planit vjetor në masën 99.6%.

Janë pikërisht këta tregues që pasqyrojnë stabilitetin e financave publike dhe përforcojnë besueshmërinë ndaj politikave tona fiskale, duke na lejuar që të bëjmë ndërhyrje të kujdesshme me përgjegjësi për të optimizuar përdorimin e fondeve publike.

Ndaj edhe në këtë kontekst, me anë të këtij akti normativ, ne synojmë mbajtjen të pandryshuar të totalit të të ardhurave buxhetore, rishpërndarjen e rreth 30 miliardë lekëve kursime të evidentuara për realizim sa më të plotë të shpenzimeve publike në buxhetin vjetor, si dhe ruajtjen e pandryshuar të defiçitit buxhetor për vitin 2025 në nivelin e planifikuar në fillim të këtij viti, në fillim të vitit 2025, në masën 61.64 miliardë lekë.

Në krahun e shpenzimeve, nënvizoj se totali i tyre nuk pëson ndryshime, duke reflektuar vetëm rialokime midis zërave buxhetorë dhe me një efekt neutral.

Në zërin e shpenzimeve korete, ndër alokimet kryesore mund të veçojmë, mbështetjen financiare të disa kategorive në nevojë në masën 15,000 ALL, ku kanë qenë rreth 148,500 përfitues që vijnë nga familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre, me një efekt financiar për buxhetin e shtetit në masën 2.23 miliardë lekë. Sipas të dhënave që disponojmë, bonusi për familjet me ndihmë ekonomike, deri ditën e premte, ka patur një realizim në masën 98.4%, ndërsa për personat me aftësi të kufizuar, realizimi i këtij buxheti ka qenë në masën 99.5%.

Gjithashtu nëpërmjet këtij akti parashikojmë transferimin e të gjitha fondeve të papërdorura në mbyllje të buxhetit të vitit 2025, në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë. Nga një vlerësim paraprak që kemi bërë si Ministri e Financave, shuma që minimalisht, dhe e nënvizoj minimalisht, do të kalojë në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Përmes këtij mekanizmi, ne synojmë që të krijojmë hapësira të qëndrueshme për mbështetjen e kësaj kategorie, por nga ana tjetër pa rrezikuar edhe ekuilibrat fiskalë.

Gjithashtu kemi një financim shtesë nëpërmjet këtij akti normativ për fermerët në masën 2 miliardë lekë, me qëllim mbulimin e të gjitha kërkesave të aplikantëve të skemës së mbështetjes që plotësojnë kriteret për masat mbështetëse për vitin 2025. Në total, fondi i alokuar për vitin 2025, nga të cilët fermerët kanë përfituar drejtpërdrejt, shkon në masën 6.4 miliardë lekë dhe kjo është rreth 1.1 miliardë lekë më shumë sesa viti 2024.

Sipas të dhënave që disponojmë, realizimi i fondit për skemat mbështetëse është në masën 90%, ndërsa për kompensimin e naftës është në masën 93%. Pagesat janë ende duke u kryer, kështu që besoj që realizimi do të shkojë drejt 100%", u shpreh Malaj.