'Kuvendi është kthyer në bunker korrupsioni'/ Bardhi çmonton modelin qeverisës
Në një seancë të tensionuar parlamentare, Gazment Bardhi ka lëshuar akuza të rënda ndaj mazhorancës qeverisëse, duke e akuzuar atë për bllokim të qëllimshëm të drejtësisë dhe mbrojtje të zyrtarëve të lartë nga hetimet e SPAK.
"Në fakt, vish këtu të bësh propagandë, se ku çfarë ka bërë qeveria me këtë akt normativ, ndërkohë që të njëjtat argumenta që sot na jep qeveria, para një muaji a dy muaj, nuk e kujtoj fiks, na i dha një koleg i mazhorancës dhe ju në rrjesht e votuat kundër të njëjtën gjë, sot visni, na e na e shisni sikur jeni kujtuar dhe se çfarë po bëni, edhe se ku çfarë keni arritur.
Kaq serioz jeni ju me çdo mesazh që dhatë këtu, që po i çoni lekët te qytetarët. Po po të kishit interes qytetarët, nuk na kishit harxhuar kohën sot, e kishit votuar që para një muaji a dy muajsh, propozim nga radhët tuaja ishte.
Por ju qytetarët i keni vetëm propagandë, sepse e vërteta është që çdo ditë që vini këtu nuk i shërbeni qytetarëve. Të nderuar qytetarë, ka momente kur një parlament nuk dështon nga fjala, por sepse hesht atëherë kur duhet të flasë.
Dhe ky parlament e ka nisur këtë sesion me një heshtje të qëllimshme, që ka si funksion të vetëm të mbrojë pushtetin nga drejtësia.
Sot kemi një mazhorancë të ngritur mbi paratë e pista të korrupsionit dhe karteleve të drogës, që në vend të detyrës ka zgjedhur frikën.
Në vend të ligjit, ka zgjedhur nënshtrimin ndaj kryeministrit. Sot ne përballemi me një pyetje shumë të thjeshtë.
A është Kuvendi i Shqipërisë një institucion i ligjit apo një mburojë politike për korrupsionin dhe kundër drejtësisë?
Që prej 19 dhjetorit, ky parlament kishte një detyrim shumë të qartë, shumë të thjeshtë, të panegociueshëm, të painterpretueshëm, duhet të vendoste pa vonesë për pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit Belinda Ballukut.
Thënë me pak fjalë, ky Kuvend kishte një detyrë të vetme, të mos i fshihej drejtësisë.
Por parlamenti dështoi ta përmbushë këtë detyrim. Zëvendëskryeministrja e pandehur vazhdon detyrën sikur asgjë s'ka ndodhur, e akuzuar dhe nën hetim aktiv për 11 procedura prokurimi dhe koncesioni, me vlerë totale 1.1 miliardë euro.
Janë me mijëra prova në dosjen e dërguar nga SPAK në Kuvend.
Nuk janë më deklarata të opozitës, nuk janë, ashtu siç ju i keni justifikuar deri tani, sajesa të opozitës.
Janë prova të korrupsionit nga maja deri në themelet e qeverisjes. Janë fotografia reale e një qeverisje të kalbur, më të korruptuarën dhe më të padenjën në Europë.
Bazuar mbi këtë dosje, kërkesa jonë e përsëritur ka qenë një dhe vetëm një: mbledhja e Këshillit të Mandateve për t’i hapur rrugë parlamentit për të vendosur mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
Asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Në respekt të rregullores, ne kërkuam këtë mbledhje pesë herë, po kryetari i Kuvendit heshti, nuk caktoi datë, nuk dha shpjegime, shkeli ligjin.
Jo thjesht sepse ligji ishte i paqartë, por sepse kryeministri kishte shpallur fermanin e bllokimit të parlamentit, injorimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme dhe pengimin e drejtësisë.
Përballë provave të korrupsionit, Niko Peleshi për turpin e tij, zgjodhi të heshtë, të shkelë ligjin dhe të zbatojë urdhrin politik. Me këto akte të rënda kundër interesit publik, është shumë e qartë se ky kuvend sot nuk i shërben interesit të qytetarëve. Ky kuvend po blen kohë kundër drejtësisë, për të mbrojtur korrupsionin në nivelet më të larta të qeverisjes.
Dhe kur një parlament i shërben kokulur për të blerë kohë kundër drejtësisë, ai nuk shkel vetëm ligjin, ai tradhton besimin e qytetarëve", u shpreh Bardhi.

