Ekonomi: Ja ku do të shkojnë paratë e shqiptarëve, qeveria ndryshon buxhetin me akt normativ

Në fjalën e saj në Kuvend, deputetja Ekonomi analizoi në detaje Aktin Normativ të Buxhetit, duke e cilësuar atë si një instrument të përgjegjshëm dhe social.

Ajo vuri në dukje se pavarësisht krizave globale, Shqipëria ka ruajtur qëndrueshmërinë makroekonomike me një rritje prej 3.75% dhe inflacion të kontrolluar.

Pika kyçe e diskutimit ishte rishpërndarja e fondeve të krijuara nga performanca e mirë buxhetore. 

"Akti normativ i buxhetit është pikërisht kjo gjë që tregon se si ne bëjmë politikën, sepse ne nuk e shikojmë buxhetin thjesht si një mundësi shifrash, po ne e shikojmë si një mundësi që do të qëndrojmë në anën e njerëzve dhe në anën e së ardhmes. Në një botë të tronditur nga kriza dhe pasiguria, qëndrueshmëria makroekonomike në Shqipërisë që është një fakt, tregon se qeveria shqiptare ka zgjedhur të investojë te puna, ka zgjedhur të investojë tek njerëzit, të investojë te dinjiteti social.

Dhe ky tregon edhe njëherë ky akt normativ, sepse që Ministria jonë e Financave që drejton këtë punë, e përball me vendosmëri mënyrën se si i harton dhe i menaxhon financat.

Dhe këtë e bëri me kujdes, kur mbas 11 muajve bëri një analizë të situatës makroekonomike në vend dhe pa edhe strukturën e shpenzimeve.

Pa prekur fare totalin e të ardhurave, pa prekur fare totalin e shpenzimeve, ajo bëri rialokim prej 30 milionë, miliardë lekësh të kursimeve që evidentoi gjatë 11 mujorit, duke ruajtur të pandryshueshëm deficitin buxhetor.

Prandaj ne sot do të diskutojmë se si qeveria shqiptare mbyll vitin 2025 dhe si i përdor burimet e këtij buxheti për qytetarët në një moment që është vendimtar për ekonominë e vendit.

Dhe ndërkohë, nga pikëpamja legjislative, akti normativ numër 11 i dhjetorit të vitit 2025 është një akt i nevojshëm, i përgjegjshëm dhe plotësisht kushtetues.

Ai mbështetet në nenin 101 të Kushtetutës dhe respekton në mënyrë strikte tre kritere themelore: nevojën, urgjencën dhe përkohshmërinë dhe nuk e anashkalon fare kuvendin.

Përkundrazi, i jep mundësi që të bëjë një diskutim dhe të shikojë interesin publik. Ky akt normativ nuk rrit taksat, nuk rrit shpenzimet, nuk rrit deficitin dhe nuk rrit borxhin. Dhe ajo që bën më shumë, vendos me mençuri atje ku është nevoja kursimet më të mëdha.

Dhe meqënëse viti 2025 ishte një vit me qëndrueshmëri dhe me rritje ekonomike pozitive, vlen të përmendim dhe njëherë që rritja ekonomike e Shqipërisë ishte 3.75%.

Rritja e fortë e numrit të turistëve prej më shumë se 12.4 milionë vizitorë, apo ulja e papunësisë në vlerat 8.1%, rritja e pagave në sektorin publik dhe inflacioni i kontrolluar, tregojnë qartë që ekonomia jonë ecën përpara.

Në një kohë kur vazhdojmë ta mbajmë me shumë, me shumë konsistencë, financat publike të menaxhuara me disiplinë dhe bilancin primar ta mbajmë neutral.

Dhe këto nuk janë fare deklarata politike që bëhen nga foltorja, por janë edhe vlerësime që ka bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, që e rendit një nga ekonomitë me stabilitet më të lartë në rajon dhe gjithashtu edhe me një politikë menaxhimi fiskal shumë të të kujdesshme.

Mirëpo ky akt normativ sjell në vëmendjen tonë që duhet të mbështesim jetën reale të njerëzve. Pra ekonomia nuk ka kuptim në qoftë se nuk shkon atje ku ka nevojë.

Që kështu akti normativ së pari bën mbështetje sociale. Përfituan plot 128.000 qytetarë me një me një shpërndarje të menjëhershme të një shpërblimi prej 15.000 lekësh që tregon se po lehtësojmë në mënyrë të qartë jetën e tyre të përditshme. Dhe kjo është një filozofi politike që ka kjo qeveri, që kur ekonomia rritet askush nuk mbetet mbrapa.

Së dyti, pensionistët. Pensionistët kanë qenë kryefjala e buxhetit të vitit 2026 dhe përveçse rritjeve dhe bonuseve, u premtua dhe dhe premtimi po ndërtohet me kujdes për një revizionim të skemës së tyre.

Dhe ky nuk është një slogan, ky është pikërisht një vizion dhe një qëmtim i kujdesshëm i financave publike.

Fakti që këto kursime në pjesën prej 150 milionë euro kalojnë në Bankën e Shqipërisë për të ndërtuar pikërisht këtë reformë të pensioneve, është një dëshmi e qartë e kësaj. Së treti sektorët real dhe sektorët strategjikë.

Ky akt normativ mbështet fermerët, shëndetësinë, infrastrukturën, sigurinë, turizmin dhe mbrojtjen. Dhe fermerët mbështeten me 2.3 miliardë lekë, duke mundësuar mbulimin e të gjitha aplikimeve që ato kanë bërë për skemat e e tyre kombëtare apo për dëmshpërblimet që vijnë nga sëmundje të ndryshme.

Shëndetësia merr fonde për medikamente duke përdorur me kujdes kursimet e veta, sidomos për furnizimin e medikamenteve që të QSUT-së dhe spitaleve të tjera. Policia mbështetet me 1.3 miliardë lekë për të përballuar sezonin turistik veror që vjen. Gjithashtu rritet edhe kontributi për të forcuar rolin ndërkombëtar që ka Shqipëria në NATO.

Por këto nuk janë investime që bëhen pa kritere, janë investime që bëhen për zhvillim dhe për siguri kombëtare. Dhe një fakt shumë i rëndësishëm në këtë akt buxhet që ne sjellim për diskutim, është edhe mënyra se si neve i qasemi me vëmendje parave të cilat nuk janë përdorur.

Nga projekte që kanë qenë projekte me rentabilitet, performancë, rentabilitet dhe performancë jo shumë të lartë, paratë kalojnë nga këto projekte në projekte që kanë rentabilitet dhe performancë të lartë.

Duke bërë të mundur që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të shtojë koston për projekte që janë përparësore për konektivitetin më të mirë të Shqipërisë në rajon, sidomos në porte, në hekurudha apo në rrugë.

Nga ana tjetër një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe pushtetit vendor. Përmes një fondi që është 1.2 miliardë lekët, bashkitë marrin mbështetje për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, duke rritur kështu disiplinën fiskale, duke lehtësuar barrën financiare të tyre dhe duke krijuar hapësira më të mira për shërbime ndaj qytetarëve.

Shpërndarja e parave në mbështetjen vendor bëhet mbi parimet të qarta transparente duke matur, duke pasur parasysh si peshën e detyrimeve ashtu dhe popullsinë, në mënyrë që kjo politikë e dhënies së shërbimeve të jetë e drejtë edhe e balancuar.

Prandaj dhe në Komisionin e Ekonomisë kur ne diskutuam, kuptuam me vëmendje të shtuar që ky akt normativ ndihmon në ruajtjen e trajektores rënie rënëse të borxhit publik, në forcimin e qëndrueshmërisë afatmesme të financave tona publike dhe bën atë që kërkojnë në fakt qytetarët, partnerët tanë ndërkombëtarë dhe dëshmon për përgjegjësinë tonë politike.

Prandaj unë mendoj që ky akt normativ është ai akti që duhet votuar, sepse mbështet më të dobtit, forcon ekonominë reale, ruan stabilitetin fiskal dhe mbyll vitin buxhetor me dinjitet. Është një akt normativ i matur, i përgjegjshëm dhe social. Ndaj ju ftojmë ta votojmë ashtu siç bëmë dhe ne në Komisionin e Ekonomisë", u shpreh Ekonomi.