Parlamenti dhe reformat, Ismaili: Jemi në limitet e kohës për dialog politik, por presim ende

Deputetja e Partisë Socialiste, Erjona Ismaili, ka deklaruar se hapësira për dialog politik me opozitën është në “limitet e kohës”.

Gjatë një interviste televizive, ajo theksoi se mazhoranca është e gatshme të avancojë e vetme me procesin e reformave, nëse opozita nuk i përgjigjet thirrjes për konsensus deri në afatin e fundit. Sipas deputetes Ismaili, shumica parlamentare është e orientuar drejt konsensusit dhe bashkëpunimit, duke i shtrirë dorën opozitës për një “bashkëpronësi institucionale”.

Ajo pohoi se opozitës i është dhënë hapësira, koha dhe vendi i nevojshëm për të qenë pjesë e këtij procesi të rëndësishëm, duke theksuar se kjo mundësi vjen jo vetëm nga vullneti i mazhorancës, por edhe nga ligji dhe Kushtetuta.

"Me thënë të drejtën, unë mendoj që në qoftë se do t'i referohemi hapësirës për dialog politik, ne jemi në limitet e kohës, por patjetër që do të uronim deri ditën e fundit të afatit që i është dhënë opozitës të mund të kishim konsensus për t'u ulur, për të patur një dialog politik edhe për të patur hapësirë reale që në fakt nuk është se po ja jep mazhoranca, por ligji, kushtetuta edhe rregullorja ja jep patjetër opozitës.

Ne kemi një frymë të orientuar te konsensusi, te bashkëpunimi.

Jemi të orientuar tek dialogu politik. Kjo është dhe arsyeja pse edhe në limitet e kohës jemi duke pritur opozitën si mazhorancë për të avancuar deri në atë moment që reforma do të dojë të kërkojë një avancim të mëtejshëm, qoftë edhe vetëm, për të kapur të gjitha afatet që kërkon, të gjithë pjesën e procedurave me të gjithë pra çfarë një reformë kërkon edhe ndërmerr për të avancuar edhe për t'u përmbyllur. Normalisht që ne jemi të vetëdijshëm që i kemi numrat për të avancuar me procesin e reformës edhe vetëm, por nuk është kjo ajo çfarë ne duam që të bëjmë.

Jemi të orientuar sikurse thashë te bashkëpunimi edhe tek një konsensus politik, edhe për faktin që ne mendojmë se reformat lidhen jo vetëm me rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por edhe me reforma që nxjerrin në pah rëndësinë e shtetit dhe jo domosdoshmërisht të partive politike, edhe kur mendimet mund të jenë të ndryshme për situata të caktuara.

Nga ana tjetër, ftesa ndaj opozitës për t'u rikthyer në tryezë është një shprehje e vullnetit tonë për një bashkëpronësi institucionale, duke i dhënë atyre gjithë hapësirën, kohën edhe vendin që i takon në këtë reformë të rëndësishme. Por jemi shumë të qartë që me gjithë nderin që shqiptarët na kanë dhënë nëpërmjet votës, në numra, ne mund të vazhdojmë dhe për ta përmbyllur edhe vetëm.

Ky do të jetë një vendim që do të merret vetëm atëherë kur opozita për shkak të sabotimit të saj edhe për shkak të vendosjes ose vendimit për të mos qenë pjesë kontributore në punë, në këtë proces reformash, do të duhet që ne të mund të vazhdojmë të vetëm për ta përmbyllur gjithsesi dhe për të vendosur një tjetër gur në të gjithë këtë procesin e madh, detyrat e shumta edhe punën intensive që kemi ndërmarrë dhe jemi duke bërë jo vetëm për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por edhe për të gjitha ato projektligje ose iniciativa që përmirësojnë dhe ndikojnë drejtpërdrejt tek përmirësimi i jetesës së qytetarëve në Shqipëri", u shpreh Ismaili.