Lamallari: Siguria në burgje është vijë e kuqe, SHKBB do të shtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në IEVP Elbasan. Nga ky operacion u arrestuan tre persona për futje të lëndëve narkotike në burg, mes tyre edhe një polic.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lamallari shkruan se siguria në burgje është vijë e kuqe, dhe se SHKBB do të shtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të. Ministri i Drejtësisë u shpreh se verifikimet do të jenë të vazhdueshme dhe goditjet do të jenë pa tolerancë ndaj çdo shkeljeje të ligjit. Ai tha se çdo punonjës që tradhton detyrën dhe bëhet pjesë e skemave kriminale do të përfundojë përpara drejtësisë.
“Përgëzoj operacionin e Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve në IEVP Elbasan për goditjen e një mekanizmi kriminal të futjes së drogës brenda burgut dhe vënien para drejtësisë të tre të dyshuarve. Sikundër e theksova në takimin e fundit me drejtuesit e këtij shërbimi dhe drejtuesit e IEVP-ve në mbarë vendin, çdo përpjekje për të cënuar sigurinë në institucionet e vuajtjes së dënimit do të marrë përgjigjen e merituar me të gjithë forcën e ligjit.
Kontrollet nga SHKBB do të intensifikohen, verifikimet do të jenë të vazhdueshme dhe goditjet do të jenë pa tolerancë ndaj çdo shkeljeje të ligjit. Çdo punonjës që tradhton detyrën dhe bëhet pjesë e skemave kriminale do të përfundojë përpara drejtësisë. Siguria në burgje është vijë e kuqe. Kush e kapërcen, merr vetëm një përgjigje: përballje me drejtësinë”, shkruan Ministri i Drejtësisë.
