Sulm në një protestë të kurdëve në Belgjikë, pl*gosen 6 persona, dy në gjendje kritike
Gjashtë persona kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me thikë në një demonstratë në Belgjikë mbrëmjen e të enjtes. Zëdhënësi i policisë, Wouter Bruyns, tha se dy nga të plagosurit ishin në gjendje kritike në spital pas sulmit në qytetin portual të Antëerpit pranë Operaplein (Sheshit të Operas.
Bruyns tha se policia arrestoi dy të dyshuarit të cilët, bazuar në gjetjet fillestare, ishin përzier me demonstruesit. Katër nga personat e plagosur me thikë u gjetën në shesh, ndërsa dy të tjerë aty pranë, në afërsi të Rooseveltplaats dhe Sint-Elisabethstraat.
Policia tha se ngjarja po hetohej si një rast vrasjeje në tentativë, “jo terrorizëm”, dhe se oficerët po shqyrtonin pamjet e kamerave të sigurisë për t'u siguruar që asnjë i dyshuar tjetër nuk i kishte shpëtuar arrestimit.
Demonstrata jashtë Teatrit të Operas, në të cilën morën pjesë rreth 50 persona, fillimisht ishte paqësore. Flamuj të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe flamuj kombëtarë u valëvitën gjatë protestës në mbështetje të kurdëve në Sirinë veriore, ku forcat e udhëhequra nga kurdët kanë luftuar kundër përparimit të qeverisë.
Megjithatë, pak pasi demonstrata mbaroi rreth orës 19:20 sipas orës lokale, situata u përshkallëzua. Orhan Kilic, një zëdhënës i Navbel, një grup që përfaqëson diasporën kurde në Belgjikë, tha se në protestë morën pjesë familje, gra, të rinj dhe fëmijë.
“Pikërisht kur protesta po shpërndahej, demonstruesit kurdë u sulmuan nga një grup burrash. Këta burra ishin futur fshehurazi në demonstratë dhe papritmas nxorën thika dhe filluan të godisnin njerëz pa dallim. Është e qartë se ky sulm nuk është një rast i izoluar i dhunës së pakuptimtë, por një sulm i motivuar ndaj një komuniteti”, tha Kilic.

