Kurti: Ibrahim Rugova ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti përkujtoi sot 20-vjetorin e vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova.

Duke vlerësuar në një shkrim në rrjetet sociale rolin e Rugovës në shtetndërtimin, demokratizimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, Kurti u shpreh se ish-Presidenti ka merita të veçanta për orientimin e qartë politik të Kosovës drejt Perëndimit dhe për ndërkombëtarizimin e drejtë të çështjes së Kosovës, veçanërisht gjatë viteve të para të dekadës së fundit të shekullit të kaluar.

Në reagimin e tij përkujtimor, Kurti shkruan se periudha e pluralizmit politik dhe e rezistencës paqësore është e lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Rugovës, i cili udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj në vitin 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006.

Sipas Kurtit, kontributi i Rugovës ishte i ndërtuar bashkë me një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh dhe veprimtarësh që në vitet ’90 mbajtën gjallë institucionet dhe shpresën për liri.

Kurti rikujtoi se Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës në vitin 1992, në rrethana të rënda të regjimit represiv serb, duke arritur që ta përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe të takohet me liderë botërorë, përfshirë edhe Presidentin amerikan Bill Clinton.

“Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik, duke u votuar e zgjedhur President i Kosovës më 24 maj 1992, asaj Republike të Kosovës që e kishin shpallur delegatët e saj më 7 shtator 1990 në Kaçanik, një vit e gjysmë pasi Serbia ia kishte suprimuar autonominë Kosovës, më 23 mars 1989.

Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton”, shkruan Kurti.

Kurti nuk mori pjesë sot në homazhe dhe akademi përkujtimore për Ibrahim Rugovë, pasi që ai aktualisht gjendet në Forumin Botëror Ekonomik, në Davos. /Kosovapress