Bora paralizon Maqedoninë e Veriut: Rrugë të papastruara, trafik në kaos dhe qytetarë të bllokuar
Reshjet e borës që kanë rënë sot në Maqedoninë e Veriut sërish e kanë zënë shtetin të papërgatitur. Rrugë të papastruara, trafik i rënduar dhe vonesa masive në qarkullim kanë shkaktuar kaos, sidomos në orët e hershme të mëngjesit, në kohën kur qytetarët niseshin drejt punës, shkollave dhe institucioneve shëndetësore, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Qytetarë të shumtë janë ankuar për pamundësinë që të arrijnë me kohë në vendet e tyre të punës, ndërsa shumë prej tyre kanë humbur termine të rëndësishme në spitale dhe institucione të tjera. Situata më problematike është raportuar në aksin Kumanovë–Shkup, ku udhëtimi ka zgjatur deri në një orë e gjysmë.
“Prej Kumanove deri në Shkup sot kemi udhëtuar një orë e gjysmë. Rrugët janë të mbuluara me borë, të papastruara dhe qarkullimi është jashtëzakonisht i vështirë”, shprehet për INA një i punësuar në administratë.
Edhe vetë qyteti i Kumanovës është përballur me bllokim të madh, me rrugë të mbuluara nga bora dhe mungesë të dukshme të mekanizmit për pastrim. Situata nuk është më e mirë as në Shkup, ku qytetarët flasin për paralizim të plotë të qytetit.
“Qyteti është i paralizuar, trafiku është në kaos. Shërbimet nuk funksionojnë dhe nuk janë në gjendje të përballojnë as këtë sasi të vogël bore. Banorët e Shkupit duhet të presin që bora të shkrihet vetë për të lëvizur normalisht”, shprehen qytetarët e revoltuar.
Pakënaqësitë nuk kanë munguar as ndaj institucioneve përgjegjëse, të cilat akuzohen për keqmenaxhim dhe mungesë përgjegjësie. Sipas reagimeve, paratë publike po keqpërdoren, ndërsa qytetarët po përballen çdo dimër me të njëjtin skenar.
“Ashtu siç abuzohen paratë e qytetarëve që përfundojnë në xhepa privatë, ashtu duket edhe qyteti sot. Kjo është pasqyra e Maqedonisë – e bllokuar nga politikat e dështuara”, thuhet në reagimet e qytetarëve.
Reshjet e borës, edhe këtë herë, kanë nxjerrë në pah mungesën e përgatitjes së institucioneve përballë kushteve dimërore, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta në jetën e përditshme të qytetarëve dhe duke rritur pakënaqësinë publike ndaj menaxhimit shtetëror. (INA)