Vjosa Osmani zbulon ftesën e Trump për Bordin e Paqes, bashkë me Ramën në tryezë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se edhe ajo ka marrë ftesë për të qenë pjesë në Bordin e Paqes për Gazën, si anëtare themeluese.

“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë.

Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej.  Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, ka shkruar Osmani.

Ftesën e ka përshëndetur dhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama

"Urime zonja Presidente, e dashur Vjosa, për marrjen e ftesës për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një gjest tejet domethënës i Presidentit Trump ndaj Kosovës, që forcon më tej marrëdhënien e Amerikës mike me popullin shqiptar, por që edhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë

Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga Presidenti i SHBA, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht", shprehet Rama