Ish-gardiani i akuzuar për krime lufte në Kosovë/ Gjykata Themelore shpall të pafajshëm Boban Toniç
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën më 20 janar, Boban Toniç u deklarua i pafajshëm për akuzën për krime lufte.
Toniç akuzohet se gjatë viteve 1998-1999, në cilësinë e gardianit të burgut të Prishtinës, paralelja në Lipjan, kishte shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur.
Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 31 janar 2025, pretendon se Toniç së bashku me gardianë të tjerë kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke përdorur shkopinj gome, shufra metalike, shqelma dhe grushte, duke u shkaktuar lëndime trupore dhe trauma psikologjike.
Sipas Prokurorisë, të burgosurit ishin lënë pa ushqim për ditë të tëra dhe ishin kanosur seriozisht për jetën, duke krijuar një gjendje ankthi dhe frike të vazhdueshme.
Avokati i të pandehurit, Pregrad Millkoviç, ka 20 ditë afat për të kundërshtuar provat e Prokurorisë dhe për të kërkuar hedhjen poshtë të aktakuzës.
Ky rast është pjesë e një serie aktakuzash për krime lufte në Kosovë, përfshirë raste të gardianëve të tjerë të burgjeve, vrasje civile në Reçak të Shtimes dhe dëbimin me forcë të mbi 800,000 civilëve shqiptarë gjatë luftës.
Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Hetimet fillimisht u bënë nga UNMIK (2000–2008), më pas nga EULEX (2008–2018), dhe më pas lëndët iu dorëzuan organeve vendore.
Gjatë luftës në Kosovë, nga 1998 deri në 1999, u vranë më shumë se 13,000 civilë, mijëra të tjerë u zhdukën, dhe mbi 1,500 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur, shumica shqiptarë.

