Kriza e rrymës elektrike në Kosovë/ KOSTT paralajmëron kufizime dhe sqaron shkaqet

Kosova po përballet sërish me probleme serioze në furnizimin me energji elektrike, si pasojë e rritjes së konsumit dhe mosbalancimit të sistemit energjetik.

Përmes një njoftimi më 20 janar, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) bëri të ditur se po has vështirësi të mëdha në balancimin e sistemit, për shkak të devijimeve të theksuara mes energjisë së nominuar dhe kërkesës reale.

Sipas KOSTT-it, KESCO ka nominuar rreth 26.17 për qind më pak energji sesa nevoja reale e konsumatorëve, duke shkaktuar jobalanca mesatare prej 211 MW në orë, ndërsa në disa orë ato kanë kaluar 260 MW në orë.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, thuhet në njoftimin zyrtar.

KOSTT kërkoi korrigjim të menjëhershëm të nominimeve, në mënyrë që ato të reflektojnë saktë kërkesën reale, duke paralajmëruar se, në mungesë të përmirësimit të situatës, mund të aplikohen kufizime të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt të sistemit.

Nga ana tjetër, KESCO tha se temperaturat e ulëta kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të konsumit, ndërsa mundësitë për sigurimin e energjisë nga importi janë të kufizuara për shkak të kushteve teknike të sistemit elektroenergjetik.

Kompania u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike, veçanërisht gjatë orëve të pikut.

Kosova prodhon rreth 94 për qind të energjisë elektrike nga termocentralet Kosova A dhe B, të cilat funksionojnë me thëngjill dhe janë të amortizuara, ndërsa pjesa tjetër sigurohet nga burimet e rinovueshme si hidrocentralet, era dhe panelet diellore.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë periudhës janar–nëntor 2025, Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej rreth 248 milionë euro, kryesisht nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, ndërsa eksportet kanë qenë shumë më të ulëta.

Ekspertët e energjisë theksojnë se kriza lidhet me mungesën e investimeve kapitale afatgjata, ndërsa politikat aktuale fokusohen kryesisht në blerje emergjente të energjisë, çka e bën sistemin të "brishtë".