SKANDAL NË GJILAN/ Arrestohet konspiracionisti që "kuronte" fëmijët me autizëm me barna kafshësh, M. e Shëndetësisë: Mos i besoni!

Policia e Kosovës ka arrestuar të martën Arianit Sllamnikun, nën dyshimet për ushtrim të paligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike dhe eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testim të barërave.

Mësohet se Sllamniku kishte shitur disa persona ilaçe për kafshë, duke pretenduar se me to fëmijët mund të shëroheshin nga autizmi.

Ai është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Policia e Kosovës në Gjilan ka bërë thirrje që cilido qytetar që ka marrë shërbime shëndetësore ose konsultime nga Sllamniku dhe mund të jetë dëmtuar, qoftë materialisht apo shëndetësisht, të paraqitet në Njësinë e Hetimeve Rajonale për intervistim.

Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj këtij rasti, duke theksuar rëndësinë e besimit vetëm tek metodat e verifikuara shkencërisht dhe profesionistët e licencuar:

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë”, thuhet në reagim.