Vonesa e krijimit të qeverisë në Kosovë/ Drenori: Procesi zgjedhor i rregullt, por pati vjedhje brenda subjekteve

Pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit në Kosovë, pritshmëria për një formim të shpejtë të institucioneve është zbehur për shkak të procesit të zgjatur të rinumërimit të votave.

Ky proces ka kthyer situatën mbrapa, duke krijuar pasiguri në formimin e qeverisë, pikërisht në kohën kur vendi përballet edhe me sfidën e zgjedhjes së Presidentit.

Në një lidhje direkte për OraNews, analisti Xhavit Drenori vlerësoi se, pavarësisht temperaturave të ulëta dhe sfidave logjistike, qytetarët treguan kulturë të lartë demokratike ditën e zgjedhjeve.

Megjithatë, ai nënvizon se vonesat aktuale vijnë si pasojë e dyshimeve për abuzime brenda listave partiake, pra vjedhje votash mes kandidatëve të së njëjtës parti, gjë që po pengon përmbylljen e ciklit zgjedhor.

Rinumërimi i votave ka nxjerrë në pah një fenomen shqetësues në politikën kosovare: manipulimin e votave brenda listave partiake.

Analisti Drenori u shpreh se zbulimi i këtyre rasteve do të shërbejë për pastrimin e sistemit në të ardhmen.

Ai përmend raste konkrete, si humbja e mandatit të një kandidati të komunitetit turk në Prizren pas rinumërimit, ndërsa përmend se te partitë shqiptare 'hajnija' ishte më e theksuar.

Drenori gjithashtu pati një thirrje për Prokurorinë që të veprojë ndaj atyre që deformuan vullnetin e qytetarëve të Kosovës gjatë këtyre zgjedhjeve.

Megjithatë, ai sqaron se këto manipulime, ndonëse të rënda, nuk pritet të ndryshojnë rezultatin final të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje.

E cila ka pasur më pak ndryshime në krahasim me subjektet e tjera.


Procesi zgjedhor ka qenë i rregullt, në kuptimin e organizimit e mbajtjes së zgjedhjev. Pra, qytetarët treguan vlera të larta demokratike duke iu përgjigjur.

Patëm gjithçka në rregull. Tani janë shpërfaqur vjedhjet potenciale brenda kandidatët të subjekteve të caktuara.

Fatkeqësia është që ky proces tashmë po vonon përmbylljen e procesit zgjedhor.

Por me certifikim të rezultateve dhe që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve.

Megjithatë, ne themi shyqyr që kjo ka ndodhur, në kuptimin që u zbulua që ka ndodhur.

Me qëllim që të pastrohet sistemi për herët e ardhshme, siç duket kjo vjedhja e votave, tendenca e vjedhjes së votave përbrenda subjekteve të caktuara, brenda kandidatëve, paska pas qenë dhe në të kaluarën.

Por tani shpërfaqja ka dal më e madhe por një gjë është e qartë, me shumë gjasa, trendi i rinumërimit. Lëvizjet, humbja e mandatit ose fitim mandati i ndonjë kandidati tjetër nuk do të ketë."-tha Drenori.