Gazetari Hoxha rrëfen detajet “bombastike” për ngjarjen në bulevard: "21 janari" ndodhi për 8 sekonda …

Sot shënohen plot 15 vite nga masakra e “21 Janarit”, ku u vranë 4 protestues. Lidhur me këtë ngjarje ka folur gazetari Artan Hoxha, i cili pak kohë më parë nxori një përgjim, i cili solli dhe hapjen e hetimeve. Hoxha ka dhënë detaje që, sipas tij, tregojnë manipulimin që është bërë me provat dhe serverët. Gazetari shpjegon se përtej vonesave dhe dështimeve të hetimeve fillestare, vendimi i Gjykatës së Strasburgut ka konfirmuar se kemi të bëjmë me krim shtetëror dhe se hetimet janë penguar që në fillim.

-Sot shënohen 15 vite nga krimi shtetëror i 21 janarit, ende asnjë përgjegjës nuk është ndëshkuar për 4 vrasjet në bulevard me plumbat e shtetit dhe plagosjen e qindra protestuesve të tjerë gjatë qeverisjes së Sali Berishës. Keni një koment?

Nuk di një ngjarje tjetër më të mediatizuar, më të ekranizuar, më të filmuar, më të monitoruar nga media, sepse janë ngjarje nga të gjitha këndet. Dhe për fat të keq edhe sot nuk kemi ende drejtësi për atë ngjarje. Pra nuk kemi pasur një hetim shterues, edhe pse në fakt kemi pasur një hetim fillestar, një gjykim fillestar që kaloi të gjitha shkallët. Patëm njerëz që u dënuan me dënime minimale për “vrasje nga pakujdesia”. U desh një vendim i Gjykatës së Strasburgut dhe një përpjekje titanike e familjes Nika, e cila rezistoi çdo joshjeje që iu bë nga të gjitha palët. Përballoi si askush tjetër një ngjarje shumë të rëndë. Në momentin që Aleks Nika është vrarë, vajza e madhe ishte dy vjeç, vajza e vogël ishte një muajshe. Pra bashkëshortja e tij, Rajmonda Nika, i ka rritur të dyja vajzat e vetme. Sot ato janë adoleshente, por nuk ka ende drejtësi për një ngjarje që ka qenë kaq shumë e ndjekur edhe nga diplomatët e huaj. Një hetim ku kanë marrë pjesë laboratorë të huaj, ekspertiza të huaja, duke filluar nga FBI-ja e deri tek autoritetet italiane edhe turke. Është një ngjarje për të cilën u premtua se do të bëhej reforma në drejtësi vetëm për të zbuluar ngjarje si 21 janari. Ajo ngjarje është një lloj vije demarkacioni që ndan epokat para dhe mbas. Nëse kujtoni premtimin e ambasadorit amerikan, zoti Arvizu, i cili sapo kishte ardhur për mbështetje, u sollën ekspertë, u çuan prova në Amerikë, iu dha ndihmë në atë kohë prokurorisë dhe sot për fat të keq jemi këtu. Mbaj mend ka qenë një emision ditën e hënë; pra 21-shi ka qenë e premte, në datën 24 kam qenë në emision ditën e hënë dhe kam thënë që në çdo ngjarje në Shqipëri ku është e përfshirë politika, asnjëherë nuk është vendosur drejtësia, asnjëherë çështja nuk është hetuar deri në fund. Por në rastin konkret, vendimi i Gjykatës së Strasburgut i cili e certifikoi ngjarjen si krim shtetëror; jo se ne s’e dinim, po morëm një certifikatë ndërkombëtare tashmë. Pra kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore të bërë nga shteti shqiptar, me armët e shtetit shqiptar, nga punonjësit e shtetit shqiptar. Sipas Strasburgut, është penguar hetimi nga drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar. Janë prishur provat.

-Janë prishur provat? Nuk ka pasur një hetim?

Jo, s’është vetëm ajo. Ajo është e provuar tashmë; atë e provoi laboratori i FBI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra aty bëhet fjalë për serverë që mungojnë, për dokumentacion, për veprime hetimore që u penguan, për prokurorinë që nuk u lejua të hynte brenda gardhit të Kryeministrisë, sepse Kryeministria atëherë ka pasur gardh dhe pastaj për një sërë veprimesh të mëvonshme të cilat kulmojnë me atë që u quajt si zinxhir komandues i Gardës, urdhër-arrestet e lëshuara nga prokuroria të cilat nuk i ekzekutonte policia. Pra ne kemi një shtet i cili u fut në luftë; institucionet që u futën në luftë me njëri-tjetrin në atë kohë për një situatë ku ajo ishte pika që derdhi gotën e një situate politike shumë të agravuar. Nëse i kthehemi në kontekst ngjarjes, duhet të kemi të qartë që situata kishte filluar që në muajt e fundit të vitit 2010; dhjetori ka qenë muaj shumë i nxehtë dhe janari nisi me videon që publikoi Dritan Prifti gjatë një takimi të tij me ish-zëvendëskryeministrin. Videoja është publikuar në datën 11; në datën 13 zëvendëskryeministri në detyrë i asaj kohe, zoti Meta, dha dorëheqjen dhe protesta u thirr pikërisht në shenjë revolte ndaj korrupsionit që tashmë ishte shfaqur me zë dhe me figurë. Edhe pse bëhet fjalë për një aferë diku te 700,000 euro, kjo shërbeu si pika që e derdhi gjithë gotën dhe çoi në revoltë. Por ajo që doli jashtë ishte se deri në momentin që ndodhën vrasjet, unë besoj që opozita ishte në një pikë shumë të keqe sepse dhuna që u krijua atë ditë, ashpërsia e protestës ishte që nga 14 shtatori i ’98-s; unë s’kisha parë ngjarje të tillë. Në ngjarjen e 21 janarit, deri në atë moment dukej sikur shteti, edhe pse ishte policia e cila u largua nga fushëbeteja, po dhe Garda dukej sikur rezistuan. Ajo që përmbysi pastaj krejt situatën ishte pikërisht vrasja. Ne nuk do ta kujtonim sikur të mos pati të vrarë, siç kemi harruar pak nga pak 14 shtatorin. Po ajo kujtohet më shumë prej 12 shtatorit që u vra Azem Hajdari dhe arkivoli i tij u përdor si tokmak te dera e Kryeministrisë? Pra është 12-a që e kujton më shumë se 14-n. Kështu që kjo si ngjarje, me mënyrën se si u hetua në atë kohë, vendimet e gjykatave për “vrasje nga pakujdesia” u shpejtuan të bëheshin para se të ndodhte rotacioni në 2013-n. Unë besoj që politikisht kryeministrin Berisha kjo ngjarje e fundosi; që nga aty u duk që ai nuk kishte më mandat të tretë dhe ishte thjesht çështje kohe. Aleatët tanë strategjikë kishin vendosur në atë kohë që kush e merr mandatin me votë, do ta dorëzojë me votë; dhe është fakt që nuk ka pasur më mbas ’97-s qeverisje, mirë apo keq, nuk është ndërprerë mandati i njeriut, asnjë force politike; siç e ka marrë me votë e ka dorëzuar me votë. Kështu ndodhi në 2005-n, kështu ndodhi në 2013-n. Tani kthehemi në gjendjen që jemi sot, pra 15 vjet mbrapa. Kryeministri besoj do të bëjë të njëjtin ritual që e bën çdo vit; mund të jetë në Davos, po një mesazh do ta lëshojë. Njeriu që e thirri atë protestë… ata njerëz që u vranë aty, Ziver Veizi ishte emigrant, erdhi nga Greqia. Aleks Nika ishte emigrant, erdhi nga Italia. Këta nuk ishin anëtarë të Partisë Socialiste; thjesht mund të ishin simpatizantë ose dashamirës. Hekuran Deda po ashtu do të largohej, do të ikte emigrant nëse nuk do të ishte vrarë atë ditë aty. Po të shikosh, njeriu që e kishte përgjegjësinë dhe që e thirri atë protestë është sot në pushtet dhe unë besoj që një nga faktorët kryesorë që ai është sot në pushtet është ajo ngjarje; e ka ndikuar jashtëzakonisht shumë. Ndërkohë, njeriu që ishte në zyrën e Kryeministrit në atë kohë është sot shefi i opozitës. Pra duket sikur vetëm kanë ndërruar rolet. Nga ajo ngjarje kemi viktimat që vazhdojnë të jenë ende të mjegulluara pa një proces të rregullt dhe dy aktorët kryesorë janë në lojë edhe 15 vjet mbrapa. Premtimet e vazhdueshme të kryeministrit që do të bëjmë drejtësi, do të reformojmë drejtësinë… u desh ndërhyrja e Gjykatës së Strasburgut në 2023 që e detyroi Gjykatën e Lartë ta detyronte SPAK-un të merrte çështjen në dorë. Audioregjistrimi që kemi publikuar bashkë tre vite më parë është prova që riktheu çështjen edhe një herë nga e para dhe që dëshmoi që vendimi i parë ishte i padrejtë, se nuk kemi të bëjmë me “vrasje nga pakujdesia”, por kemi të bëjmë me vrasje me dashje. Nga ai moment ne kërkuam që këtë gjë ta marrë SPAK-u; nuk e mori. Prokuroria e Tiranës u mor një vit. Unë shkova në Prokurori të Tiranës menjëherë mbas emisionit, dhashë deklarime, dorëzova pjesën e transkriptit sepse nuk kishim besim. Zhvillimet na dhanë të drejtë sepse prokuroria nuk arriti të bënte dot gjë dhe u desh vendimi i Strasburgut dhe i Gjykatës së Lartë që e detyroi SPAK-un, i cili këmbënguli deri në Gjykatë të Lartë që të mos e merrte çështjen. Për ironi të fatit, ishte i njëjti prokuror që mbronte objeksionin e SPAK-ut që këtë çështje duhet ta hetonte Prokuroria e Tiranës. Prokuroria e Posaçme disponon sot edhe koracën ligjore, edhe mbështetjen e madhe diplomatike, logjistike, burimet njerëzore, fuqinë për të hetuar lart. Kjo është një ngjarje që ishte hetuar deri te gardistët; duhet të hetohej lart. Në korrik të vitit 2024, familja Nika, në bazë të kasetës që unë ia vura në dispozicion, iu drejtua SPAK-ut me kërkesë për rihapjen e çështjes. Në 15 tetor unë kam depozituar kasetën audio, kam dhënë gati katër orë dëshmi në SPAK. Kemi parë thirrjen e disa personazheve të politikës: Bamir Topi, Sali Berisha, Lulzim Basha. Kemi parë hierarkinë e Policisë së Shtetit: Burgaj e të tjerë. Ende nuk kemi parë një dëshmi të kryeministrit Rama. Ish-zëvendëskryeministri i asaj kohe, zoti Meta, kërkoi vetë të shkonte dhe dha deklarimin e tij sepse dhe ai ka pasur informacion; partia e tij LSI një ditë para protestës deklaroi se do të ketë incidente të rënda. Ish-presidenti Topi, ashtu si ka mbajtur një qëndrim, më vonë shkroi një libër dhe ato kujtime ndihmuan grupin e hetimit për të marrë informacion mbi disa drejtime që deri në atë moment nuk i kishin. Unë mendoj që pjesa kryesore e provave kanë qenë në dosje, por në hetimin e mëparshëm nuk kanë dashur t’i shohë. Strasburgu nuk bëri një hetim tjetër të thelluar, thjesht studioi ato materiale dhe arriti në përfundimin që lëvizi gjithë çështjen. Tashmë SPAK ka kryer shumë hetime. Regjistrimi është arritur duke përgjuar radion e komandantit të Gardës. Prandaj ai dëgjohet më pastër, sepse ai ka qenë një kanal i veçantë ku komunikonin vetëm drejtuesit kryesorë. Nëpërmjet asaj radioje ne kemi dëshmuar edhe të shtënat dhe kuptojmë që për shtatë deri në tetë sekonda ka ndodhur gjithë masakra. Ajo që na është thënë, që serveri i Kryeministrisë nuk punonte, në fakt është e provuar që punonte. Që serveri i Gardës për komunikimet në radio nuk punonte, është një gënjeshtër e madhe. Unë e kam deklaruar në BKH që është komunikuar me radio, sepse në pamje duket komandanti i Gardës dhe drejtuesit me radio në dorë ose me kufje në vesh. Këta nuk i mbajnë radiot për fotografi. Ka dy mënyra për ta gjetur informacionin: libri i shërbimit dhe memoria që mban komunikimet në radio. Zhdukja e këtyre serverëve e ka bërë Strasburgun të thotë që është penguar qartazi hetimi. Përveç asaj, pamë mjekët e spitalit të Traumës që flisnin si ekspertë kriminalistikë dhe thoshin se është qëlluar nga një distancë e afërt. U ngrit narrativa që vrasja është bërë nga turma, derisa afër mesnatës doli pamja që tregoi që vrasjet ishin bërë nga Garda e Republikës.

Jemi 15 vjet mbrapa; ai rituali që bëhet çdo 21 janar tashmë është kthyer në një lloj hipokrizie bezdisëse dhe irrituese. Ky është shansi i fundit që të kemi një hetim shterues dhe t’u japim një ndjenjë çlirimi familjarëve dhe shpirtrave të atyre që kanë humbur jetën. Familja Nika u rezistoi ofertave dhe tundimit për të hequr dorë nga procesi në Strasburg; ata rezistuan e luftuan. . Sot kemi dy vrasje për të cilat nuk mund të gjykohen më: Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj. Vrasja e Faik Myrtajt është përtej bulevardit, tek trotuari te kulla. Edhe pse në radio dëgjojmë komandat “kur të kalohet gardhi do qëlloni në mish”, viktimat nuk janë kur kalohet gardhi me tela. Ziveri është disa metra përpara derës kryesore; Faik Myrtaj është përtej bulevardit; Hekuran Deda është të paktën 50 metra lart mbi platformën e Top Channel; dhe Aleks Nika është të paktën 70 deri në 80 metra thellë në bulevard. Të gjithë të vrarët janë të shpërndarë; kjo tregon që është qëlluar pa mëshirë në një perde zjarri. Në momentin që kanë ndodhur vrasjet, rreth orës 16:00, protesta po shuhej. Vrasjet nuk duken si humbje toruaje, por si moment gjakftohtësie; prandaj ato janë vrasje me dashje të kryera në kuadër të një strukture. Vrasja e Ziverit dhe e Faik Myrtos nuk mund të rigjykohet sepse janë gjykuar me dënime qesharake prej vetëm dy vjet burg. Por kemi dy vrasjet e tjera, të Aleks Nikës dhe të Hekuran Dedës, të cilat nuk janë gjykuar dhe kjo gjë i lejon SPAK-ut ta rihetojë ngjarjen nga fillimi.