EMRI/ Pasuri me vlerë 400 mijë euro, Prokuroria e Vlorës sekuestron apartamentet dhe automjetet e të dënuarit për trafik dr*ge

Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuri me vlerë 400 mijë euro në pronësi shtetasit Arjan Rrokaj, i dënuar më parë për trafik lëndësh narkotike dhe organizatë kriminale.

Bëhet fjalë për 3 apartamente, 3 automjete të markave Toyota Corolla, Volvo XC 60 dhe Mercedes benz GLA si edhe një njësi tregtare. Gjykata e Vlorës pranoi kërkesën e Prokurorisë, dhe vendosi në sekuestro preventive pasuritë e të dënuarit.

Rrokaj rezulton i dënuar nga Gjykata e Breshias me 8 vite burg për akuzat e trafikut të drogës dhe në mars të vitit 2025 u arrestua në Vlorë, me qëllim ekstradimin drejt shtetit fqinj për kryerjen e plotë të dënimit.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë:

Nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme, Prokuroria e Vlorës sekuestron pasuritë e shtetasit A.Rr. i dënuar më parë për ‘trafik narkotikësh’ e ‘organizatë kriminale’

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u sekuestruan pasuritë e shtetasit A.Rr. dhe familjarëve të tij, nën hetim për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1125 të vitit 2020, rezultoi se shtetasi A.Rr., i dënuar më parë për ‘Trafik të lëndëve narkotike’ dhe ‘Organizatë krimiale’, nuk justifikonte pasuritë e krijuara, për të cilat Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Vlorë kërkoi sekuestrimin si më poshtë:

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë pranoi kërkesën e organit të akuzës, duke caktuar masën e sigurimit pasuror sekuestro preventive për pasuritë e mësipërme të paluajtshme në vlerë totale 400.000 euro.