EMRAT/ Sherr i madh në rrugë mes shoferëve në aksin Thumanë-Krujë, njëri vr*tet, tjetri arrestohet
Rreth orës 01:00 të natës, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Krujë–Mamurras, ku një konflikt mes dy drejtuesve automjetesh ka përfunduar me humbje jete.
Sipas informacioneve, dy automjete dyshohet se janë përplasur, ç`ka ka sjellë një përshkallëzim të situatës mes drejtuesve të tyre.
Sipas të dhënave paraprake, pas përplasjes ka nisur një konflikt fizik mes palëve. Si pasojë, ka mbetur i vdekur Petrit Ndou, rreth 50-vjeç, banues në Pukë.
Viktima ka marrë një plagë të rëndë në kokë, ndërsa në vendngjarje është gjetur edhe një çekiç, i cili dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Burime nga policia bëjnë me dije se autori i dyshuar është 28-vjeçari Andi Vokri, banues në Thumanë, Mamurras. Ky i fundit dyshohet se e ka goditur viktimën në kokë me çekiç, duke i shkaktuar plagë fatale.
Sakaq, 28-vjeçari është shoqëruar menjëherë nga policia dhe po merret në pyetje nga grupi hetimor.
Për hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje, janë administruar disa dëshmi dhe deklarata. Sipas burimeve, janë pyetur nëna dhe bashkëshortja e autorit, Dhurata Ndreka dhe Gentjana Vokri.
Po ashtu, është pyetur edhe Kleo Ndou, 30-vjeç, banues në Thumanë, si dhe tre shtetas të tjerë që kishin njohje me viktimën.
Prokuroria dhe policia po vijojnë veprimet hetimore për veprën penale të “Vrasjes me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal, ndaj shtetasit Andi Vokri, ndërsa po vlerësohet, në raport me provat e administruara, edhe pozita e personave të tjerë të pranishëm në vendngjarje.
Krujë/Informacion paraprak
Rreth orës 00:40, në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, është goditur me sende të forta dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi P. N., 57 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar dhe shtetas që mund të ketë dijeni për ngjarjen, por për shkak të hetimit, nuk jepen të dhënat e tyre.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.
Në përfundim të veprimeve hetimore, do të jepet informacion i plotë.

