“Është vetëpërjashtuar”, Salianji i përgjigjet Berishës: Askush nuk është mbi Kushtetutën e partisë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas deklaratës së kreut të PD-së, Sali Berisha, i cili tha se nuk do të kandidojë përballë Salianjit pasi, sipas tij, ai është “vetëpërjashtuar”.

Në një postim në Facebook, Salianji e kundërshtoi këtë deklaratë, duke theksuar se askush nuk është mbi Kushtetutën e Partia Demokratike, e cila sipas tij është miratuar me votë nga anëtarësia.

Salianji shton se statuti i PD-së nuk njeh “vetëpërjashtime” dhe se ai do të vijojë të përfaqësojë shqetësimet e demokratëve, duke bërë thirrje për bashkim dhe dinjitet brenda partisë.

Reagimi i plotë

Askush nuk është mbi Kushtetutën e Partisë Demokratike, të miratuar nga anëtarësia me votë! Mungesa e seriozitetit ndaj demokratëve të shumtë që mendojnë ndryshe është një gafë e rëndë. Të gjithë pjesëmarrësit në takimet e mia janë demokrat 24 karat. Meritojnë vetëm respekt dhe mirënjohje.

Partia Demokratike ka nevojë për qartësi. Partia Demokratike ka nevojë të bëhet fituese. Këtë ja u ka borxh demokratëve, pas 13 vitesh opozitë. Kjo është pritshmëria e të gjithë shqiptarëve që duan dhe presin rotacionin.

Bashkimi i demokratëve dhe i gjithë opozitës rreth saj duhet të jetë përpjekja më serioze për ta bërë Partinë Demokratike fituese.

Ky qëllim është i parashikuar qartë në statut dhe më përgjegjësi në rast humbjeje dhe privilegje në rast fitoreje. Kushtetuta e demokratëve nuk ka as “vetpërjashtime”.

Do vazhdoj të përfaqësoj pa ndalim dhe me gjithë sa kam shqetësimin real të demokratëve! Vullnetin e tyre për bashkim, për dinjitet dhe për një Parti Demokratike fituese.

Shihemi të Dielën në Lezhë