Përmirësohet situata në Shkodër, lumenjtë Drin e Buna në rënie, rrugët dhe fshatrat funksionojnë normalisht

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër njofton se situata e emergjencave civile në territor është përgjithësisht e qetë dhe në përmirësim.

Sipas raportimeve të datës 15 janar 2026, kuotat e lumenjve Drin dhe Buna kanë shënuar rënie rreth 20 cm, ndërsa në njësitë administrative Dajç dhe Obot lëvizja kryhet vetëm me mjete me kalueshmëri të lartë.

Në bashkitë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll, pa raportime për problematika emergjente.

Hidrovoret e Velipojës funksionojnë normalisht dhe menaxhojnë kapacitetin e prurjeve, ndërsa argjinaturat dhe veprat e artit nuk paraqesin probleme.

Reparti Ushtarak Vau Dejës vijon operacionin mbështetës në fshatin Obot, ku janë angazhuar 15 forca dhe dy mjete me kalueshmëri të lartë.

Po ashtu, drejtoria e rrugëve DRV Shkodër raporton se qarkullimi rrugor është i sigurt, me rekomandimin e përdorimit të gomave dimërore dhe zinxhirëve në akset Qafë Mali–Fierzë dhe K/Hadroj–Qafë Bënës, në përputhje me kushtet atmosferike.

Institucioni i Prefektit dhe strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin dhe koordinimin e situatës për të garantuar sigurinë e qytetarëve.