BKH shpall konkurs për Zëvendësdrejtor, pozicioni i hapur vetëm për hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit
Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka shpallur konkurs për pozicionin e Zëvendësdrejtorit, një post i dedikuar ekskluzivisht për hetuesit brenda institucionit.
Sipas njoftimit zyrtar, kandidati i përzgjedhur do të jetë përgjegjës për funksionimin e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore, menaxhimin e burimeve njerëzore dhe mbikëqyrjen e punës së personelit gjatë mungesës së Drejtorit të BKH-së.
Kandidatët duhet të jenë hetues të BKH-së, pa masa disiplinore në fuqi, me të paktën tre vjet përvojë në hetimin e korrupsionit, krimit të organizuar ose krimeve të rënda, si dhe me aftësi drejtuese dhe integritet të lartë. Njohja e gjuhës angleze konsiderohet një avantazh gjatë procesit të vlerësimit.
Afati për dorëzimin e dokumenteve përfshirë kërkesën për aplikim, jetëshkrimin, vlerësimin e fundit dhe certifikatën e njohjes së gjuhës angleze është data 22 janar 2026. Aplikimet dorëzohen fizikisht në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore të BKH-së.
Procesi i përzgjedhjes do të bëhet nga Drejtori i BKH-së dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, duke u bazuar në dokumentacionin e dorëzuar, performancën e kandidatëve dhe përputhshmërinë me kriteret ligjore dhe profesionale. Kandidatët e përzgjedhur do të njoftohen zyrtarisht nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit.
Ky hap synon të fuqizojë drejtimin e Shërbimeve të Policisë Gjyqësore dhe të përmirësojë efektivitetin e hetimeve të BKH-së.
