AUDIO-REGJISTRIMI/ Fatmir Pjetri i “Babagjyshëve” ankohet në Instagram, kthehet përmbys qelia e anëtarit të bandës
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka urdhëruar një kontroll urgjent në qelinë e të burgosurit Fatmir Pjetri, i cili vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Burrel.
Pjetri njihet si pjesë e bandës së të ashtuquajturve “Babagjyshëve”.
Sipas burimeve, shkak për këtë vendim është bërë publikimi në profilin e tij në Instagram i një audioregjistrimi, ku ai akuzon Drejtorinë e Burgjeve se nuk e ka lejuar të botojë një roman të shkruar prej tij, me arsyetimin se përmbajtja përfshin akte dhune.
Autoritetet po hetojnë mënyrën se si është realizuar regjistrimi audio dhe mbi të gjitha, se si ai është publikuar në rrjetet sociale, duke qenë se përdorimi i telefonave apo pajisjeve elektronike nga të burgosurit është rreptësisht i ndaluar.

Kontrolli në qelinë e Pjetrit pritet të shtrihet edhe në ambientet përreth, me qëllim identifikimin e çdo pajisjeje të paligjshme.
Kujtojmë se Fatmir Pjetri ka qenë më herët protagonist i një tjetër ngjarjeje të rëndë, pasi në vitin 2025 ai ka tentuar të arratisej nga burgu 313 në Tiranë, gjë që solli masa të rrepta sigurie dhe transferimin e tij në një institucion me regjim më të ashpër.
Hetimet lidhur me rastin janë në vijim, ndërsa Drejtoria e Burgjeve pritet të dalë me një reagim zyrtar pas përfundimit të kontrollit.

