Shtatë faktorë risku që ndikojnë në çmimin e sigurimit të makinës

Çmimi i sigurimit të detyrueshëm motorik nga 1 janari i këtij viti me nisjen e zbatimit të sistemit bonus-malus, nuk është i njëjtë për të gjithë, pasi ai llogaritet duke marrë parasysh disa faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në primin që qytetari do të paguajë.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare shpjegon se për përcaktimin e çmimit llogariten shtatë faktorë të riskut, të lidhur si me drejtuesin e mjetit, ashtu edhe me vetë automjetin.

Mes faktorëve kryesorë janë mosha e drejtuesit dhe eksperienca e tij në drejtim, përdorimi i automjetit (nëse është në pronësi të individit ose të një subjekti), qarku ku është i regjistruar mjeti, fuqia motorike, vjetërsia e automjetit dhe historiku i dëmeve. Ky i fundit merr në konsideratë të gjitha dëmet e raportuara, edhe në rastet kur shkaktari i aksidentit nuk është i shënuar në policën e sigurimit. Një historik pa dëme sjell ulje të primit, ndërsa dëmet e shumta reflektohen me rritje të çmimit.

Çmimi i sigurimit është më i lartë për drejtuesit e rinj 18-21 vjeç dhe ata me pak eksperiencë drejtimi, për automjetet më të vjetra dhe me fuqi më të madhe motorike.

Në të njëjtën kohë, mjetet më të reja, me fuqi më të ulët dhe të regjistruara në qarqet Berat, Dibër dhe Kukës paguajnë prime më të ulëta.

Për të kuptuar saktë çmimin, shoqëritë e sigurimit kanë publikuar koeficientët e faktorëve të riskut dhe përllogaritësit online, që u lejon qytetarëve të llogarisin paraprakisht primin e sigurimit.

Historikun e dëmeve qytetarët mund ta kontrollojnë pranë shoqërisë së sigurimit dhe, në rast parregullsish, mund ti drejtohen fillimisht kompanisë dhe më pas në rast të moszgjidhjes së problematicës edhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare në adresën [email protected].

Sistemi bonus-malus synon të bëjë tarifimin më të drejtë, të rrisë transparencën dhe të nxisë sjellje më të sigurta në rrugë.