Buça: Shqipëria drejt përafrimit të 11 direktivave të BE për farat dhe fidanët
E ftuar në emisionin "Alert" në “Ora News”, ishte drejtoresha e Politikave të Mbrojtjes së Bimëve dhe Fara-Fidanëve në MBZHR, Valdete Buça, e cila shpjegoi procesin e certifikimit të farave autoktone dhe rëndësinë e ruajtjes së cilësisë së tyre sipas standardeve europiane.
“Gjatë vitit 2025, ne kemi amenduar ligjin e materialit mbjellës dhe shumues bimore, një amendim shumë i rëndësishëm, ku edhe seksioni ka bërë punën e vet për ta sjellë te fermerët këtë ndryshim.
Kemi rregulluar autoritetet kontrolluese me amendimin e këtij ligji në të gjithë procesin, qoftë në importim, qoftë në vendosjen në treg.
Gjithashtu, për të rritur cilësinë e farave dhe fidanëve, kemi shtuar edhe kriterin për të pasur, në aktivitetin e tyre, një drejtues teknik me kohë të plotë – agronom apo inxhinier pyjor, në rastin e materialit pyjor.
Po ashtu, kemi rregulluar edhe termin “operator profesionist”, një qasje e plotë e Bashkimit Europian për shërbimin e bimëve, me synimin për të pasur varietetet më të pastra.
Në nëntor të vitit 2025, Ministri i Bujqësisë ka nxjerrë një urdhër për formën dhe elementet e katalogut kombëtar, ku kemi shtuar një element të ri sipas qasjes së BE-së: origjinën, pikërisht për varietetet autoktone sipas rastit.
Gjithashtu, për vitin 2026 kemi bërë një planifikim të detajuar për materialin mbjellës dhe shumues bimor, ku kemi vendosur përafrimin e plotë, pasi deri tani kemi pasur vetëm përafrim të pjesshëm të direktivave të BE. Ndërsa në 2026 është parashikuar që të kryhet përafrimi i plotë i 11 direktivave që lidhen me farat dhe fidanët.
Ne jemi duke punuar edhe për urdhrin e agronomit, po shohim këtë mundësi, dhe kjo do të jetë një vlerë e shtuar që nesër çdo fermer të ketë një agronom të certifikuar për të gjitha këto pika”, tha ajo.
NDIQNI EMISIONIN E PLOTE "ALERT"

