"Varemi nga humori i Allahut, nëse nuk qan, s'kemi shi"/ Rama nga Abu Dhabi: Në 2028 nuk do të blejmë energji nga jashtë
Edi Rama në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Samitin e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u ndal tek një nga projektet më të rëndësishme energjetike që përfshin Shqipërinë, Italinë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ai theksoi rëndësinë e pavarësisë energjetike, por edhe potencialin për të gjeneruar të ardhura nga eksporti i energjisë drejt Evropës.
Rama nënvizoi ambicien për një bashkëpunim tripalësh: “Synimi ynë është që së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë të krijojmë një bazë të ngarkesës në Shqipëri. Dr. Sultan, Zoti e bekoftë, synon që të arrijmë në tre gigavat, dhe përmes kabllit ndërlidhës me Italinë, të shërbejmë Evropës me energji të gjelbër. Së bashku me miqtë tanë arabë, mund të krijojmë fitime nga shitja e energjisë në Evropë.”
Duke folur për energjinë hidrike, Rama shtoi me humor: “Mos harroni se energjia hidrike varet nga ‘humori i Allahut’. Kur Allahu qesh shumë dhe nuk bie shi, duhet të drejtohemi drejt importit, gjë që e bën situatën më të vështirë.”
Kryeministri gjithashtu theksoi rolin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, duke u ndalur tek ‘Diella’, ministrja e parë në botë e krijuar nga inteligjenca artificiale: “Ajo punon për shërbimet, po përgatit transferimin e korpusit ligjor të BE-së dhe zhvillon një sistem të prokurimit publik me inteligjencë artificiale, që do të zvogëlojë ndërhyrjen njerëzore dhe do ta bëjë procesin më efikas.”
Rama ndau panelin me homologun e tij malazez, Miljoko Spajiç, dhe nuk i kursye batutat mbi konkurrencën: “Ata janë 500 mijë, por duan të triumfojnë kundrejt 500 milionë investuesish.”
Gjatë pjesëmarrjes në forum, Kryeministri Rama u nderua me medaljen Sheik Zayed, e emëruar sipas themeluesit të Emirateve të Bashkuara Arabe.
