Parku eolik i Tropojës/ Rama: Shqipëria, vend sovran në prodhimin e energjisë
Investimi 600 MW nga kompania amerikane CWP shënon një fazë të re në energjinë e rinovueshme.
Kryeministri Edi Rama ka vizituar parkun eolik të Tropojës, një projekt me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, i cili po zhvillohet nga kompania amerikane CWP.
Sipas tij, ky investim është një dëshmi e qartë se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme.
“Jam shumë i kënaqur që sot po finalizojmë një përpjekje dyvjeçare, një bashkëpunim të përbashkët me kompaninë, të cilën e falënderoj për gjithë procesin përgatitor. Shpresojmë që gjithçka të ecë sipas planit dhe që ky park i madh i energjisë së erës në Tropojë të hyjë së shpejti në rrjetin e prodhuesve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se, duke pasur parasysh eksperiencën dhe rrugëtimin e suksesshëm të kompanisë, ka besim se ky projekt nuk do të sjellë vetëm një burim të ri energjie të rinovueshme, por edhe dije të reja, teknologji dhe një kulturë të përmirësuar pune në një sektor strategjik për vendin.
“Ky investim është pjesë e drejtimit tonë strategjik dhe kontribuon në përmbushjen e objektivit për ta bërë Shqipërinë një vend sovran në prodhimin e energjisë,” deklaroi Rama.
Duke iu referuar varësisë nga kushtet klimatike, kryeministri theksoi se mungesa e reshjeve ka detyruar vendin të dalë në tregjet ndërkombëtare për të blerë energji me çmime të larta, ndërsa në periudhat me reshje të bollshme nuk ka pasur gjithmonë kapacitetet e nevojshme për ta shndërruar ujin në energji elektrike.
Rama theksoi se koha kur Shqipëria duhej të dilte në treg për të blerë energji po shkon drejt fundit.
“Ne do të jemi në kategorinë e pak vendeve që gëzojnë pavarësi të plotë kur vjen puna te kjo lëndë vitale për një shtet. Kjo është rezultat i investimeve, por edhe i një vizioni, programi dhe përpjekjeje të qëndrueshme nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë”, tha ai.
Kryeministri vuri në dukje se ndërmarrjet e sektorit energjetik, që dikur ishin plagë për shtetin shqiptar, sot janë pararojë në administrim dhe mirëfunksionim. “Sot kemi një portofol që ka nisur të diversifikohet: uji mbetet burimi kryesor i energjisë, por dielli dhe era po zënë vendin e tyre. Sistemi ynë energjetik do të jetë plotësisht i vetë-mjaftueshëm dhe do të mund të eksportojmë përtej nevojave tona, duke sjellë të ardhura për ekonominë dhe të nesërmen e vendit”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se sektori energjitik është një nga më të hapurit në garat ndërkombëtare.
“Fjala korrupsion, që shpesh përdoret si këpucë e modës, nuk ka vend këtu. Nuk ka kompani serioze që ka marrë pjesë në këto gara që të ketë shprehur një ankesë të vetme”, shtoi ai.
Rama vuri në dukje se kjo eksperiencë është një dëshmi e qartë edhe për investitorët amerikanë, të cilët nuk kanë ndeshur pengesa të natyrës korruptive dhe kanë pasur mbështetjen e qeverisë në çdo hap për të kapërcyer pengesa burokratike në nivel vendor.
“Kompania ka pasur garanci që projekti do të shkojë deri në fund”, përfundoi ai.
