HALLET PAS PËRMBYTJEVE! Haxhimali kërkon masa: Situatat zbuluan dështimet e vendorëve
Reshjet intensive dhe dëbora e ditëve të fundit kanë krijuar vështirësi të mëdha për bashkitë, sidomos në zonat rurale dhe ato me territor të gjerë. Ekspertët theksojnë se sistemi i kullimit dhe menaxhimi i emergjencave kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe fonde më efektive.
Bashkitë në vend po përballen me vështirësi për shkak të reshjeve intensive të shiut dhe dëborës, që këto ditë kanë shkaktuar përmbytje lokale, rrëshqitje dherash dhe probleme në qarkullimin rrugor.
Eksperti i pushtetit vendor, Agron Haxhimali, thotë se situata ka nxjerrë sërish në pah nevojën për ndërhyrje të menjëhershme në sistemet e kullimit dhe ujitjes.
Më të prekura paraqiten bashkitë me territor të gjerë dhe zona rurale, sidomos ato në veri dhe juglindje, ku reshjet kanë shkaktuar dëmtime të infrastrukturës, izolim të përkohshëm të disa fshatrave dhe akse të bllokuara nga dëbora.
Në buxhetin vjetor janë parashikuar fonde për emergjencat civile, si dhe fonde të dedikuara për ujitjen dhe kullimin, të cilat shpërndahen ndërmjet bashkive sipas nevojave konkrete në terren.
Këto fonde përdoren për ndërhyrje emergjente, riparime të rrjeteve kulluese dhe menaxhimin e situatave të papritura gjatë motit ekstrem.
Për përballimin e situatës së motit të keq, qeveria ka vënë në dispozicion 50 milionë euro, të ndara në disa zëra buxhetorë, të dedikuara si për menaxhimin e emergjencave, ashtu edhe për masat parandaluese kundër fatkeqësive natyrore, përfshirë rehabilitimin e rrugëve dhe forcimin e infrastrukturës së mbrojtjes.

