Banka e Shqipërisë parashikon miratimin e ligjit të ri për bankat
Në strategjinë e saj afatmesme, Banka e Shqipërisë parashikon miratimin e një ligji të ri për sektorin bankar, i cili do të harmonizohet me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe standardet ndërkombëtare, duke forcuar qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Banka publikoi sot strategjinë afatmesme për periudhën 2026-2028.
Ligji synon të përmirësojë qeverisjen e bankave, mbikëqyrjen e bazuar në rrezik, menaxhimin e rreziqeve kibernetike dhe integrimin e faktorëve mjedisorë dhe ESG në proceset mbikëqyrëse.
Ai është pjesë e një pakete masash që synon rritjen e rezistencës së sistemit financiar ndaj krizave dhe zhvillimeve të papritura ekonomike.
Strategjia përfshin gjithashtu përmirësimin e transparencës së statistikave, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e teknologjisë së informacionit, për të siguruar një sistem bankar modern, efikas dhe të besueshëm për qytetarët dhe bizneset.
Strategjia afatmesme 2026-2028 ofron udhëzime gjithëpërfshirëse dhe shërben si një udhërrëfyes për aktivitetet e Bankës së Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, duke identifikuar përparësitë dhe zhvillimet.
Strategjia shërben gjithashtu si një kornizë e përgjithshme dhe udhëzues për përgatitjen e tre viteve të buxhetit, duke përdorur qasjen e menaxhimit të bazuar në rezultate.

