HEC-ET PRANË KUOTËS MAKSIMALE/ Vau i Dejës afër zonës kritike,shkarkime të kontrolluara për uljen e rrezikut

Situata në hidrocentralet e kaskadës së Drinit mbetet e ndjeshme, me Vau i Dejës që është vetëm 2 metra larg kuotës maksimale të lejuar. Niveli i liqenit ka arritur në 74.08 metra, ndërsa kuota maksimale është 76 metra, duke e bërë këtë hidrocentralin më të ndjeshmin në sistem. Për të balancuar prurjet e larta dhe për të ulur rrezikun për përmbytje, KESH ka nisur shkarkime të kontrolluara me një ritëm total prej 1,400 m³/s. Kjo ka për qëllim të mbajë nën kontroll situatën dhe të parandalojë përmbytjet në zonat e ulëta, veçanërisht në Nën-Shkodër.

Ndërkohë, në hidrocentralet e Fierzës dhe Komanit, nivelet mbeten disa metra poshtë kufirit maksimal, duke dhënë mundësi manovrimi për sistemin dhe duke ulur rrezikun për zonat e banuara afër digave. Në Fierzë, niveli i liqenit është 292.4 metra, shumë më poshtë kuotës maksimale prej 296 metra, ndërsa në Koman, niveli është 171.97 metra, larg kufirit prej 175 metra.

Përballë prurjeve të mëdha ujore, KESH ka marrë masa të kujdesshme për të ulur rrezikun e përmbytjeve dhe për të ruajtur stabilitetin e sistemit hidroenergjitik, duke realizuar shkarkime të kontrolluara dhe duke monitoruar nga afër situatën.