Elbasan/ Reshje shiu, dëborë dhe rrezikshmëri në rrugë, autoritetet në gatishmëri
Gjatë natës së datës 11 janar 2026, në qarkun Elbasan janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar dhe rrebeshe, ndërsa në zonat malore mbi 700 metra lartësi ka pasur reshje debore. Në akset rrugore që lidhen me qytetin e Elbasanit, ka pasur prezencë debore, dhe pastrimi është realizuar nga ekipet e borepastrueseve me hedhje kripë, duke mundësuar qarkullimin e mjetet pa pengesa.
Në aksin rrugor Elbasan-Q. Thane, Elbasan-Gjinar, dhe Elbasan-Tiranë (aksi i vjetër nga Krraba), qarkullimi është i hapur, ndërsa në Gramsh-Moglicë dhe Elbasan-Gjinar ka pasur renie inertesh dhe dherash, të cilat janë pastruar nga firmat kontraktuese. Po ashtu, në Elbasan-Peqin, janë regjistruar dy raste renie pemësh, dhe janë marrë masat për pastrimin e rrugëve. Në Elbasan-Cerrik, është vënë re renie e një masivi dheu, për të cilin është njoftuar firma kontraktuese për ndërhyrje.
Për sa i përket lumenjve, prurjet e lumit Shkumbin vazhdojnë të jenë të larta, por për momentin nuk paraqesin rrezik. Po ashtu, përroi i Zaranikës dhe Paprit janë monitoruar dhe për momentin nuk ka rrezik për përmbytje.
Në zonat e Linas (Nj.A Mollas, Bashkia Cerrik) dhe Shelg (Nj.A Grekan, Bashkia Belsh), vazhdojnë të mbeten të përmbytura disa sipërfaqe toke, megjithatë situata për momentin është nën kontroll.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm, autoritetet do të vazhdojnë monitorimin e situatës dhe marrjen e masave të nevojshme për të siguruar qarkullimin e sigurt dhe mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.
