Vr*sja e Gilmando Danit, Emiljano Shullazi pritet të merret në pyetje nga Prokuroria e Tiranës
Prokuroria e Tiranës do të marrë në pyetje Emiljano Shullazin në lidhje me atentatin e vrasjes së Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit në Rinas. Mësohet se Dani ka qenë pjesë aktive e grupit të Shullazit për vite me radhë.
Bëhet me dije se Shullazi do të pyetet nëse ka dyshime për persona të caktuar që kanë organizuar atentatin ndaj Danit.
Si ndodhi ngjarja?
Atentati mafioz ndodhi mesditën e 11 nëntorit pranë aeroportit të Rinasit, ku nga breshëria e plumbave u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe i plagosur mbeti Muçi Shaljani (Sheqeri). Dani dhe Shaljani po lëviznin me një Benz të bardhë luksoz, kur autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.
Në makinën në pronësi të Elvis Kosovës shofer ishte Muçi Shaljani (punonjës i AMP) dhe Dani ishte pasagjer. Gilmando Dani kishte ardhur në Shqipëri nga Barcelona, por u ekzekutua vetëm disa minuta pasi kishte hipur në makinë. Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota Yaris me targa greke. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur në fshatin Halil.