Moti i keq në Mirditë/ Fan i Vogël dhe Zmeja dalin nga shtrati

Reshjet e shumta të shiut të orëve të fundit kanë krijuar situata problematike në disa zona të Bashkisë Mirditë.

Prurjet e larta të lumit Fan i Vogël kanë shkaktuar gërryerje të tokës, duke dëmtuar rreth 1 hektar sipërfaqe bujqësore në fshatin Kodër Rrëshen dhe duke prekur linjën elektrike të zonës.

Shtyllat u zhvendosën dhe energjia elektrike është rivënë në funksion, por rreziku mbetet i lartë pasi rrjedha vazhdon të kërcënojë edhe rrugën kryesore të fshatit.

Probleme të ngjashme janë regjistruar edhe pranë fshatit Tarazh, ku gërryerja e shkaktuar nga lumi Zmeja ka nxjerrë mbi tokë tubacionin kryesor të ujësjellësit, duke vënë në rrezik edhe rrugën nacionale Rrëshen–Burrel.