UNESCO NGRE ALARMIN/ Shkrimi i dorës po lihet në harresë, përdorimi i gjerë i tastierës po dominon

UNESCO ka prezantuar një projekt të ri që synon mbrojtjen dhe rikthimin e shkrimit të dorës, i cili po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga përhapja masive e shkrimit dixhital dhe përdorimi i gjerë i tastierave dhe ekraneve me prekje.

Sipas organizatës, shkrimi tradicional me dorë nuk është thjesht një aftësi e fituar, por një tipar themelor antropologjik i zhvillimit njerëzor, i lidhur ngushtë me mënyrën se si individët mësojnë, mendojnë dhe shprehen.

Megjithatë, në dekadat e fundit, kjo praktikë ka humbur terren, veçanërisht në sistemet arsimore, ku mësimdhënia e bukurshkrimit është lënë gjithnjë e më shumë në hije.

Ekspertët paralajmërojnë se braktisja e shkrimit të dorës nuk sjell vetëm varfërim kulturor, por ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimin njohës të fëmijëve.

Studime të shumta shkencore dhe pedagogjike tregojnë se shkrimi me dorë nxit zhvillimin e aftësive të imëta psikomotore, përmirëson lidhjen mes leximit dhe shkrimit dhe ndihmon në strukturimin e mendimit.

Sipas këtyre studimeve, mungesa e praktikës së shkrimit të dorës lidhet edhe me vështirësi të të nxënit, si disgrafia, disleksia dhe diskalkulia.

Po ashtu, përdorimi i hershëm dhe i pakontrolluar i mjeteve dixhitale mund të dobësojë përqendrimin, kujtesën dhe aftësinë për të organizuar idetë.

Projekti i UNESCO-s ka një qasje të gjerë, që përfshin dimensione kulturore, arsimore dhe ekonomike.

Ai synon rikthimin e shkrimit me dorë në qendër të proceseve edukative, parandalimin e braktisjes së tij përmes praktikës së rregullt në fazat kyçe të zhvillimit të fëmijëve, si dhe nxitjen e përdorimit të tij gjatë gjithë jetës.

Një pjesë e rëndësishme e nismës është edhe mbrojtja e trashëgimisë dokumentare të shkruar me dorë, e cila përbën një pasuri të jashtëzakonshme historike, kulturore dhe artistike për njerëzimin.

Për UNESCO-n, shkrimi i dorës përfaqëson më shumë sesa një aftësi praktike: ai është një element kyç i identitetit njerëzor, i procesit të të nxënit dhe i transmetimit të dijes ndër breza. Në një epokë të dominuar nga teknologjia, organizata synon të riafirmojë rëndësinë e tij si një komponent thelbësor i arsimit cilësor dhe i zhvillimit të shëndetshëm kognitiv të brezave të ardhshëm.