SHBA paralajmëron Evropën për sigurinë e Groenlandës, Trump rikthen idenë e marrjes së territorit

Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, u ka bërë thirrje aleatëve evropianë që ta marrin më seriozisht sigurinë e Groenlandës, duke paralajmëruar se në të kundërtën “SHBA-ja duhet të bëjë diçka për këtë”, raporton agjencia Associated Press.

Deklaratat vijnë në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka ripërsëritur interesimin e tij për Groenlandën, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë ta blejnë territorin strategjik në Arktik.

Nga Shtëpia e Bardhë nuk është përjashtuar as mundësia e përdorimit të forcës ushtarake për ta marrë nën kontroll zonën.

JD Vance ka deklaruar se vendimi përfundimtar i takon presidentit Trump, ndërkohë që përpjekjet diplomatike vazhdojnë.

Sipas tij, Groenlanda aktualisht mbetet “jetime” në aspektin e mbrojtjes globale, duke luajtur një rol kyç në mbrojtjen e SHBA-së dhe aleatëve të saj kundër kërcënimeve raketore nga Rusia dhe Kina.

Groenlanda është territor vetëqeverisës i Danimarkës dhe, përmes saj, pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë vlerësojnë se prania dhe infrastruktura mbrojtëse në rajon nuk janë të mjaftueshme për sfidat aktuale të sigurisë.

Burime të AP-së bëjnë të ditur se këshilltarë të presidentit Trump kanë zhvilluar takime në Shtëpinë e Bardhë me përfaqësues të Danimarkës dhe Groenlandës, në përpjekje për të diskutuar të ardhmen e sigurisë dhe rolin strategjik të ishullit.

Çështja e Groenlandës po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një pikë tensioni mes SHBA-së dhe Evropës, ndërsa rivaliteti global në Arktik po intensifikohet për shkak të interesave ushtarake, ekonomike dhe gjeopolitike.