Danimarka dhe Groenlanda kërkojnë bisedime me Rubion, pasi SHBA këmbëngul se e dëshiron ishullin
Danimarka dhe Groenlanda po kërkojnë një takim me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, pasi administrata Trump përsëriti qëllimin e saj për të marrë përsipër ishullin strategjik, një territor danez, sipas AP.
Tensionet u përshkallëzuan pasi Shtëpia e Bardhë tha dje se “ushtria amerikane është gjithmonë një opsion”, edhe pse një sërë udhëheqësish evropianë hodhën poshtë thirrjet e ripërtërira të presidentit Donald Trump që SHBA-të të marrin përsipër Groenlandën, duke përmendur arsye strategjike.
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen paralajmëroi më parë këtë javë se një marrje e kontrollit nga SHBA-të do të përbënte fundin e aleancës ushtarake të NATO-s.
“Nordikët nuk bëjnë deklarata të lehta si kjo”, tha për AP Maria Martisiute, një analiste e mbrojtjes në Qendrën e Politikave Evropiane.
“Por, është Trump, gjuha shumë bombastike e të cilit, që kufizohet me kërcënime dhe frikësime të drejtpërdrejta, po kërcënon këtë fakt ndaj një aleati tjetër duke thënë se unë do ta kontrolloj ose do ta aneksoj territorin”, shtoi ajo.
Udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar iu bashkuan Frederiksen në një deklaratë duke riafirmuar se ishulli i pasur me minerale “i përket popullit të tij”.
Trump ka hedhur idenë e blerjes së Groenlandës që nga mandati i tij i parë, duke argumentuar se SHBA duhet të kontrollojë ishullin më të madh në botë për të garantuar sigurinë përballë kërcënimeve në rritje nga Kina dhe Rusia në Arktik.

