Telefon me të dhëna konfidenciale bërthamore humbet në Shangai, panik te autoritetet japoneze
Një incident i rëndë sigurie ka tronditur Autoritetin Rregullator Bërthamor të Japonisë , pasi një punonjës humbi telefonin e tij të punës gjatë një udhëtimi personal në Kinë. Pajisja përmbante kontakte dhe informacione sensitive të stafit që punon në fushën e sigurisë bërthamore.
Autoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisë prej disa javësh është vënë nën panik, pasi një punonjës ka humbur telefonin e tij zyrtar më 3 nëntor, gjatë një kontrolli sigurie në një aeroport në Shangai, teksa ndodhej në një udhëtim personal, raportojnë mediat japoneze.
Humbja e pajisjes u vu re vetëm tre ditë më vonë, ndërsa përpjekjet për ta gjetur rezultuan të pasuksesshme.
Telefoni përmbante të dhëna konfidenciale të stafit të përfshirë në sigurinë dhe mbrojtjen e materialeve bërthamore në objektet japoneze — përfshirë kontaktet e punonjësve të angazhuar në parandalimin e kërcënimeve si vjedhje apo terrorizëm. Autoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisë nuk ka konfirmuar nëse informacioni është komprometuar.
Ngjarja ndodh në një moment kur Japonia po përpiqet të ringjallë programin e saj bërthamor, i pezulluar për më shumë se një dekadë pas katastrofës së vitit 2011 në Fukushima.
Nuk është hera e parë që sektorit bërthamor japonez i evidentohen mangësi sigurie.
Në 2023, një punonjës i centralit Kashiwazaki-Kariwa humbi një dosje dokumentesh pasi e la mbi automjetin e tij, ndërsa raste të tjera kanë përfshirë keqmenaxhim të dokumenteve konfidenciale dhe dyshime për përdorim të të dhënave të manipuluara gjatë kontrolleve të sigurisë.
Së fundi, utoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisëpezulloi shqyrtimin për rinisjen e reaktorëve të kompanisë Chubu Electric, pas raportimeve për “falsifikim të të dhënave kritike të inspektimit”, duke shtuar edhe më shumë shqetësimet për kulturën e sigurisë në industrinë bërthamore japoneze.
