Babis: Do të vazhdojmë t’i dërgojmë armë Ukrainës

Kryeministri i ri i Republikes Çeke, populisti i djathtë, Andrej Babis tha sot se nuk do të ndërpresë një iniciativë për armë e municione për Ukrainën, pavarësisht premtimeve të tij gjatë fushatës elektorale për ta  ndërprerë këtë.

“Projekti do të vazhdojë  dhe Republika Çeke do të jetë në rolin e koordinatorit”, njoftoi Babis.

Por, ai tha se paratë e taksapaguesve çekë nuk do të investoheshin më në këtë projekt.

“Kjo është pak a shumë një çështje simbolike, pasi donatorët kryesorë kanë përfshirë vende si Gjermania, Danimarka dhe Holanda, ndërsa Praga ka dhënë vetëm një pjesë të vogël të fondeve”, tha Babis.

Miliarderi dhe lideri i partisë populiste të djathtë ANO kishte kritikuar ashpër projektin gjatë fushatës së tij dhe kërkoi ndërprerjen e tij, po ashtu si dy partnerët e tij të koalicionit të ekstremit të djathtë.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë u mblodh në Pragë për të diskutuar hapat e ardhshëm.

Përveç shefave të ushtrisë dhe të zbulimit, pritej të merrte pjesë edhe presidenti Petr Pavel.

Ukraina ka një nevojë të vazhdueshme për armë e municion artilerie për t’u mbrojtur nga Rusia, e cila filloi një pushtim të gjerë pothuajse katër vjet më parë.