DËNOHET FURNITORI I TRAFIKANTËVE/ Adem Savas, furnizoi me gomone trafikanët në kanalin e Le Mansh

Një 45-vjeçar i dyshuar si furnizuesi kryesor i trafikantëve të klalndestinëve nga Franca në Britani përmes kanalit të Lë Mansh është dënuar me 11 vite burg. Dënimi për shtetasin turk i është dhënë nga Gjykata Belge, pasi ishte arrestuar në Holandë në një operacion të përbashkët me autoritetet britnaike.

Një shtetas turk i konsideruar nga autoritetet britanike si furnizuesi më i rëndësishëm i gomoneve dhe motorëve për rrjetet e trafikimit të emigrantëve në Kanalin Anglez është dënuar me 11 vite burg dhe një gjobë prej 400 mijë eurosh, pas një operacioni të përbashkët ndërkombëtar.

45-vjeçari Adem Savas u dënua nga një gjykatë në Bryzh të Belgjikës, pasi pranoi akuzat për trafikim njerëzish dhe anëtarësim në grup të strukturuar kriminal.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Krimit të Britanisë, Savas ishte “pa asnjë dyshim furnizuesi më i rëndësishëm” i gomoneve dhe motorëve për bandat e trafikantëve që organizuan kalimet e rrezikshme përmes Kanalit Anglez gjatë viteve 2019–2024.

Hetuesit besojnë se ai ka përfituar miliona euro, pasi paketat e pajisjeve tregtoheshin mesatarisht për rreth 4 mijë paund për copë.

Savas u arrestua në nëntor 2024 në aeroportin Schiphol të Amsterdamit gjatë një operacioni të përbashkët mes autoriteteve belge dhe atyre Britanike.

Sipas hetuesve, Savas vepronte nën maskën e një kompanie të rreme furnizimi detar, ndërsa ishte në dijeni të plotë të përdorimit të pajisjeve për udhëtime të rrezikshme detare.

“Furnizimet e tij ka shumë gjasa të kenë qenë të përfshira në ngjarje fatale në Kanalin e Le Mansh”, u shprehën autoritete britanike.

Ministri britanik për Sigurinë Kufitare, Alex Norris, e përshkroi Savasin si “një bos të trafikimit”, duke theksuar se autoritetet po godasin rrjetet kriminale që “shesin jetë njerëzish për para”.

Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë vitit 2025, 41.472 persona kaluan Kanalin nëpërmjet gomoneve — shifra më e lartë që nga viti 2022.