SHBA shqyrton opsionet për të marrë Groenlandën, përfshirë përdorimin e ushtrisë

Sipas një deklaratë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti  Donald Trump po diskuton një gamë opsionesh për të marrë nën kontroll Groenlandën, përfshirë edhe përdorimin e ushtrisë, sipas BBC.

Administrata tha se një gjë e tillë është konsideruar si pjesë e strategjive të mundshme për të ndjekur këtë qëllim të politikës së jashtme.

Shtëpia e Bardhë tha se Trump e ka bërë të qartë se blerja ose marrja e Groenlandës është një prioritet i sigurisë kombëtar për SHBA‑në, duke theksuar rëndësinë e saj strategjike për të penguar kundërshtarët në rajonin e Arktikut.

”Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë opsionesh për të ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, sigurisht, përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të Komandantit të Përgjithshëm”, thuhet në deklaratë.

Kjo deklaratë erdhi pasi Trump përsëriti në fundjavë se SHBA-ja ka nevojë për Groenlandën për arsye sigurie.

Groenlanda është një territor gjysmë‑autonom i mbretërisë së Danimarkës, e cila është gjithashtu anëtare e NATO‑s.

Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen paralajmëroi se çdo sulm apo përdorim force nga SHBA-ja kundër Groenlandës do të shënonte fundin e NATO‑s, pasi aleanca është e bazuar në mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare.

Deklarata amerikane u publikua vetëm disa orë pas një deklarate të përbashkët nga gjashtë vende evropiane, Britania e Madhe  Franca, Gjermania, Italia, Polonia dhe Spanja. të cilat shprehën mbështetje të fortë për sovranitetin e Danimarkës dhe Groenlandës./