Dështon sërish seanca për kryebashkiakun e Rrogozhinës, apeli shtyhet në këtë datë

Ka dështuar sërish seanca për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla, në Apelin e Posaçëm Antikorrupsion. Arsyeja e shtyrjes ishte ndryshimi i avokatëve të Blerim Xhamanit dhe Isuf Toskut, të cilët u dënuan nga GJKKO përkatësisht me 1 vit dhe 8 muaj burg, ku për Toskun dënimi u pezullua duke u vendosur në shërbim prove.

Avokatët e rinj kërkuan kohë për t’u njohur me aktet e dosjes, dhe për këtë shkak seanca u shty për më 13 janar. Pjesë e kësaj dosjeje ishte edhe Ndriçim Tafxhafa, i cili u dënua gjithashtu me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Edison Memolla ishte dënuar rreth një vit më parë në Shkallën e Parë me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor. Më 24 janar 2025, Gjykata e Posaçme e shpalli fajtor Memollën pas hetimeve që u bazuan në indicie nga një emision investigativ.

Audio përgjimi tregoi se kryebashkiaku, ende në detyrë dhe kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, ndikonte tek një punonjës i OSHEE për të mos ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor. Prokuroria e Posaçme deklaroi se kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte për Memollën në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022.

Përveç dënimit me 1 vit burg, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi si dënim plotësues që për 5 vitet e ardhshme Memolla nuk mund të mbajë asnjë funksion publik.

Tashmë në Apelin e Posaçëm pritet vendimi për të konfirmuar ose jo dënimin, dhe nëse lihet në fuqi, Memolla do të duhet të largohet nga posti i kryebashkiakut.