Shiu shkakton përmbytje në Lezhë/ Bashkia paralajmëron banorët: Situata pritet të rëndohet...

Reshjet e dendura të shiut, të rëna gjatë orëve të natës, kanë shkaktuar probleme të shumta në qytetin e Lezhës.

Si pasojë e prurjeve të larta, rrjeti i kanalizimeve nuk ka arritur t’i përballojë, duke sjellë përmbytje në lagjen “Besëlidhja”

Ndërkohë, për shkak të prezencës së ujit në ambientet e jashtme, është pezulluar procesi mësimor në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë.

Po ashtu, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër, të cilët ndodhen në kuota kritike, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën nga afër.

Bashkia Lezhë informon se për shkak të reshjeve të shumta dhe shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, situata në territorin e Bashkisë Lezhë pritet të rëndohet.

U kërkojmë të gjithë banorëve që, në rast emergjence apo nëse konstatojnë prezencë uji në banesat e tyre, të kontaktojnë menjëherë në numrin e telefonit:
???? +355 68 367 8727

Bashkia Lezhë është në gadishmëri të plotë dhe po ndjek nga afër situatën për të garantuar ndërhyrje të menjëhershme dhe mbështetje për qytetarët.