Presidenti kolumbian i përgjigjet kërcënimeve të Trump: U betova se s'do prekja kurrë një a*më... por për atdheun do e bëj

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, paralajmëroi se do të “rrëmbejë armët” nëse Shtetet e Bashkuara vendosin ta sulmojnë atë personalisht ose vendin e tij, pas një sërë deklaratash dhe kërcënimesh nga ish-presidenti amerikan Donald Trump.

Në një postim në rrjetin social X, Petro mbrojti përpjekjet e qeverisë së tij në luftën kundër trafikut të drogës, një fushë për të cilën Trump e ka kritikuar vazhdimisht. Presidenti kolumbian paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane kundër trafikantëve të drogës në Kolumbi do të rrezikonte jetën e civilëve, përfshirë fëmijët, dhe do të nxiste rekrutime të reja në grupet separatiste që kanë qenë në konflikt me shtetin për dekada.

“Dhe nëse ata arrestojnë një president që ka mbështetjen dhe respektin e një pjese të madhe të popullit, atëherë do të nisin një kryengritje popullore”, shkroi Petro.

Presidenti kolumbian, ish-anëtar i grupit të armatosur rebel M-19, deklaroi gjithashtu se do ta mbronte Kolumbinë me çdo kusht, pavarësisht angazhimeve të mëparshme për t’u distancuar nga dhuna.

U betova se nuk do të prekja më kurrë një armë… por për atdheun, do të marr përsëri armët”, theksoi ai.

Deklaratat e Petros vijnë pasi Donald Trump e sulmoi atë publikisht të dielën, duke e quajtur presidentin kolumbian “një njeri të sëmurë që i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara”, duke shtuar se kjo situatë “nuk do të zgjasë shumë”.

Kur u pyet nga gazetarët nëse komentet e tij nënkuptonin një ndërhyrje apo angazhim amerikan në Kolumbi në të ardhmen, Trump u përgjigj shkurt: “Më duket mirë”.